FOTO: KALLXO.com

Fillojnë Aktivitetet për Javën e Gruas

Sot u bë hapja e aktiviteteve për të  shënuar “Javën e Gruas”, e cila është ngjarje ndërkombëtare që mbledh 130 pjesëmarrës në baza ndër-partiake dhe ndër-etnike.

Java e gruas synon që të bëjë bashkë gra dhe burra në Kosovë,  për të diskutuar çështjet me rëndësi për qytetarët duke ofruar  mundësi  rrjetëzimi dhe të zhvillojë më tutje shkathtësitë e tyre si liderë të ardhshëm.

Në hapjen e këtyre aktiviteteve mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli  i cili tha se Kosova ka shënuar rezultate të cilat vijnë nga përkushtimi i palodhshëm i  grave dhe burrave në vend.

“ Barazia gjinore përbënë njërin nga kushtet themelore të qëllimit për zhvillim ekonomik. Kosova mudn të krenohet me gratë e suksesshme që ka dhe nivelin e përgjegjshmërisë që kanë treguar në pozitat që kanë pasur si presidente, kryetare e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, ministre,  e shumë pozita të tjera” u shpreh Veseli.

Veseli shtoi se në shumicën e rasteve gratë në Kosovë kanë qenë shumë më të suksesshme se burrat.

Ndërsa Mexhide Mjaku Topalli, kryesuese e Grupit të Grave Deputete në hapjen e javës së gruas tha se gjatë gjithë këtyre viteve java e gruas ka shërbyer si platform,  ku gratë kanë bashkuar forcat në përpjekje për të avancuar të drejtat e grave.

“ Në javën e gruas janë trajtuar tema të ndryshme si e drejta e grave në trashëgimi, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor e shumë tema të tjera. Sot është knaqësi që shumë gra kanë guximin që të luftojnë për atë që ju takon” u shpreh Topalli.

Topalli tregoj se gjatë kësaj jave do të diskutohet për sfidat me të cilat ky shtet po përballet për konsolidimin e demokracisë.

Colleen  Zyland, zëvendës shefe e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në hapjen e aktiviteteve për javën e gruas tha se Kosovës i duhen shumë më shumë gra të angazhuara në institucionet e vendit.

“Janë vetëm dy ministre në Qeverinë e Kosovës, dhe nese i shohim komunat e Kosovës asnjëra nga to nuk udhëhiqet nga një femër” tha Zyland.

Ajo tha se duhet të dyfishohen përpjekjet që zëri i  grave të dëgjohet në mënyrë që ato të marrin pjesë në jetën ekonomike dhe politike të Kosovës.

Kjo hapje e javës së gruas vazhdoj me diskutim me temën “ Integriteti i Paetive Politike si vlerë themelore për të siguruar transparecë dhe llogaridhënie”.

Në lidhje me këtë temë u diskutua me qëllim që  partite  politike në Kosovë  të mos përballën me krtika të ashpra publike për mënyrën se si trajtojnë reformat gjyqësore, për mënyrën se si financohen partitë politike dhe për përceptimin publik mbi keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Java e gruas është ngjarje vjetore që ka filluar si pilot projekt në vitin 2012 nga Instituti Kombëtar Demokratik me mbështetje nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar.