Pamje nga prezantimi i hulumtimit Zëri Ynë", i realizuar nga "Save the Children" dhe Zyra e Avokatit të Popullit - Foto: Facebook

Fëmijët Nuk Dinë Ku të Drejtohen në Rast Dhune

Sipas rezultateve të nxjerra nga hulumtimi “Zëri Ynë” del se 50.3% e fëmijëve nuk dinë se ku të drejtohen në rast se të drejtat e tyre shkelen ose nëse ata keqtrajtohen, edhe pse ata dinë rreth të drejtave të tyre.

Hulumtimi është realizuar nga organizata “Save the Children” në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe target kishte nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX në 20 komuna dhe në 34 vendbanime të ndryshme, rreth çështjeve të ndryshme si dhuna, ngacmimi, shpenzimet në shkolla, njohuritë për të drejtat e tyre si dhe e ardhmja e tyre në Kosovë.

Rudina Ademi, përfaqësuese e “Save the Children” tha se ky hulumtim ka për qëllim shpërndarjen e informacioneve që të rriturit t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve dhe të drejtave të tyre në përgjithësi.

“Kuvendi, Qeveria, komunat dhe shkollat të krijojnë struktura dhe procedura të duhura për t’i adresuar çështjet e fëmijëve dhe obligimet dhe mendimet e tyre, si dhe qëllimet që ata i kanë në jetë të merren parasysh në proceset e vendimmarrjes dhe në proceset që janë të lidhura me ta”, tha ajo.

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se të dhënat e nxjerra nga ky raport tregojnë se duhet ende punë rreth të drejtave të fëmijëve ngaqë në Kosovë është prezente dhuna që mund edhe të ndikojë në kodin gjenetik.

“Kam qenë i befasuar sepse nuk kam pritë rezultate të tilla. Nuk më ka rastis me pa rezultate të tilla më herët saqë në fenomenin e ushtrimit të dhunës në shpi, familje apo shkollë dhe pasojat janë të tilla saqë ndikojnë edhe në kodin gjenetik”, tha Jashari.

Gjithashtu sipas Avokatit të Popullit, qëllimi i raportit ka qenë për t’i informuar institucionet për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe rreth ndikimit te dhunës në aspektin psikologjik.

“Qëllimi ka qenë me publiku këtë raport pasi që shumica  e institucioneve të Kosovës për të drejtat e fëmijëve nuk janë në dijeni për ndikimin aq të madh që mund të ketë ushtrimi i dhunës në aspektin psikologjik”, shtoi ai.

Raporti gjithashtu nxjerr në pah se pjesa më e madhe e fëmijëve janë optimistë rreth të ardhmes së tyre në Kosovë.

Organizata “Save the Children” në Kosovë operon prej vitit 1997 dhe implementon programin në shumë komuna.

Redaktoi: Naser Sertolli