Agim Selimi, dekan i Fakultetit të Arteve - Foto: KALLXO.com

Fakulteti i Arteve kërkon të ndërpriten ndërhyrjet e jashtme brenda tij

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme diskutoi edhe për rastin e anulimit të rregullores për avancime të Fakultetit të Arteve dhe anulimin e konkursit për zgjedhjen e stafit akademik.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, tha se ka pranuar një peticion të nënshkruar nga studentë dhe profesorë të cilët kërkojnë që të mos ketë ndërhyrje të jashtme në këtë Fakultet.

Sipas Selimit, janë të papranueshme ndërhyrjet që po bëhen në Fakultetin e Arteve si dhe anulimi i rregullores, kur siç thotë ai ajo i përmbush të gjitha nevojat.

“Më ka ardhur një peticion nga Këshilli i Studentëve, të cilëve u janë bashkëngjitur edhe një numër i profesorëve. Mirëpo ideja e studentëve ka qenë me vend kështu që janë nënshkruar afër 50 individë rreth ndërhyrjeve të ndryshme për rregulloren e Fakultetit të Arteve. Radhën e kaluar Fakulteti i Arteve ka pësuar pikërisht për shkak të mosharmonizimit të rregullores. Gjithë profesorët janë duke e përkrahur këtë rregullore dhe ndërhyrjet që po bëhen nga jashtë janë të papranueshme dhe mendoj se Senati e ka aprovu dhe kjo rregullore I përmbush nevojat për një zgjedhje cilësore”, tha Selimi.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi tha se me kërkesë të organizatës ORCA ka filluar procedura në Inspektorat të Arsimit për anulimin e rregullores së Fakultetit të Arteve.

Mirëpo, anulimi i konkursit për zgjedhjen e stafit akademik sipas Kelmendit mund ta përballë UP-në me padi të ndryshme sepse, siç thotë ai, Inspektorati i Arsimit ka anuluar në kohë të papërshtatshme konkursin.

“Me kërkesë të organizatës ORCA është iniciuar një procedurë në Inspektorat të Arsimit për rregulloren e Fakultetit të Arteve dhe si rezultat i hetimit është kërkuar një rezultat nga zyra ligjore të cilin ne e kemi dhënë. Ky interpretim nuk është marrë parasysh nga ana e Inspektoratit dhe është nxjerrë një vendim që të anulohet rregullorja për procedurat përzgjedhëse të emërimit, riemërimit dhe avancimit të stafit, njëkohësisht anulohet edhe konkursi. Nëse prapë nuk reagon inspektorati atëherë do t’i drejtohemi ministrisë sepse anulimi i konkursit në këtë fazë do të na ballafaqojë me padi të ndryshme dhe Inspektorati nuk ka të drejtë sepse paraprakisht janë njoftu para se të miratohet në Senat rregullorja dhe nuk kanë dhënë kurrfarë komente”, tha Kelmendi.

Inspektorati i Arsimit kishte vendosur me 17 korrik të këtij viti që ta anulojë rregulloren për avancime në Fakultetin e Arteve dhe pjesërisht konkursin e Universitetit të Prishtinës (pjesën e Fakultetit të Arteve) për zgjedhjen e stafit akademik.

E këtë vendim e kishte mbështetur në arsyetimin se ajo rregullore e cenon rëndë cilësinë e mësimdhënies në UP duke mos përfillur ekzistencën e gradës “Doktor i Arteve”, duke e njohur vetëm gradën “Master i Arteve”, kësisoj duke pamundësuar konkurrencën e doktorëve të arteve dhe doktorantëve të arteve në këtë fakultet.

KALLXO.com transmetoi LIVE mbledhjen e Senatit të UP-së.