Foto: Ilustrim

EPIK: Mungesa e reformave, Kosova humb 11 milionë euro, rrezikon edhe 14 milionë

Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK) tregon se mungesa e reformave nga ana e Kosovës ka bërë që të humben 11 milionë euro nga marrëveshja financiare IPA me Bashkimin Europian.

EPIK, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të zbatojnë tërësisht asnjë nga njëmbëdhjetë treguesit që është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2018 dhe sipas tyre, me këtë trend të reformave Kosova rrezikon të humbas edhe pjesën e mbetur në vlerë prej 14 milionë eurove.

Ndërkaq, tutje në njoftim thuhet se, EPIK fton institucionet shtetërore që të shtojnë angazhimin drejt përmbushjes së treguesve të dakorduar me qëllim të avancimit të reformave në fushën e administratës publike dhe evitimit të humbjes së 25 milionë që do të mund të orientoheshin në shërbim të qytetarëve.

Sipas këtij instituti, mospërmbushja e reformave të dakorduara përveç se do këtë pasojë humbjen e mjeteve financiare, në të njëjtën kohë do dëmtojë reputacionin e vendit tonë si partner kredibil para komunitetit ndërkombëtar.

Në dhjetor 2017, Kosova dhe Bashkimi Europian nënshkruan marrëveshjen financiare IPA 2016 për të financuar reformat në administratën publike.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka marrë për obligim që të zbatojë reformat në fushën e administratës publike, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, drejt krijimit të një administrate publike të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarit.

Sipas marrëveshjes, institucionet e Kosovës u zotuan se do të zbatojnë tetë reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësohen me anë të njëmbëdhjete treguesve.

Në bazë të analizës së institutit EPIK , institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të zbatojnë tërësisht asnjë nga njëmbëdhjetë treguesit që është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2018 dhe si rezultat i kësaj Kosova ka humbur 11 milionë euro.

Me këtë trend të reformave, Kosova rrezikon të humbas edhe pjesën e mbetur në vlerë prej 14 milionë euro.