Raporti i EPIK: Afro 5.000 kosovarë kërkuan azil në BE më 2018

Instituti i Kosovës për Politikat Europiane (EPIK) ka publikuar raportin ku janë trajtuar zhvillimet e fundit në lidhje me numrin e kërkesave për azil në Bashkimin Europian (BE).

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, EPIK bën të ditur se rekordi i azilkërkuesve u shënua në vitin 2015 me një total prej 199,365 azilkërkuesve, prej të cilëve 172,225 ishin azilkërkues për herë të parë.

“Në vitin 2015, Kosova dhe Shqipëria ishin vende me numër më të madh të azilkërkuesve nga Ballkani me 72,480 dhe respektivisht 67,950 azilkërkues, prej tyre 66,885 dhe respektivisht 66,145 ishin azilkërkues për herë të parë”, thuhet në komunikatën e Institutit.

Sipas raportit, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka shënuar rënie më të madhe të azilkërkuesve.

“Nga 72,480 në vitin 2015, prej të cilëve 66,885 ishin azilkërkues për herë të parë, në 4,970 në 2018, prej të cilëve 3,300 ishin azilkërkues për herë të parë – rënie prej 93 për qind”, vijon njoftimi.

Statistikat tregojnë se nga viti 2015, numri i azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor ka rënë në mënyrë të qëndrueshme në nivelin më të ulët të shënuar në vitin 2018 prej 40,420 azilkërkues, prej të cilëve 31,835 ishin azilkërkues për herë të parë.

“Në vitin 2018, Shqipëria dhe Serbia ishin vende me numër më të madh të azilkërkuesve nga Ballkani me 21,915, dhe respektivisht  6,145 azilkërkues, prej tyre 19,045 dhe respektivisht 4,340 ishin azilkërkues për herë të parë”, thuhet në raport.

Sipas komunikatës së EPIK, në kuadër të BE-së deri në vitin 2012, ka pasur rritje graduale të numrit të kërkesave për azil.

“Që nga viti 2013 numri i azilkërkuesve u rrit me ritëm eksponencial, duke shënuar 431 mijë kërkesa në vitin 2013, 627 mijë në 2014 dhe rreth 1.3 milion në 2015 dhe 2016”, thuhet në njoftim.

Në vitin 2018, 638 mijë azilkërkues aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së.

“Kjo ishte 10 për qind më pak se në vitin 2017 (712 mijë) dhe pak më shumë se gjysma e azilkërkuesve të regjistruar në vitin 2016, kur u regjistruan rreth 1.3 milion azilkërkues. Numri i azilkërkuesve në vitin 2018 është i krahasueshëm me nivelin e regjistruar në vitin 2014”, thuhet në raportin e EPIK.