ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Ende nuk është caktuar gjyqtari që do ta gjykojë Gani Gecin

Rigjykimi i Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, duket se nuk do të fillojë së shpejti.

Kjo për shkak se lënda e tij nuk i është ndarë ende ndonjë gjyqtari.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmon avokati i tij, Ndrec Dodaj.

“Rasti është kthyer në rigjykim. Lënda gjendet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës por nuk e dimë kush e ka. Më parë e ka pasur kolegji ndërkombëtar. Nuk kemi informacione nëse i është caktuar ndonjë gjyqtari. Kur e caktojnë na njoftojnë me shkrim por deri më tani nuk kemi asgjë”, tha Ndrec Dodaj për KALLXO.com.

Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht të vitit 2014 në kafiterinë “N’ Qosh”, në Skenderaj.

Ndërsa me tre qershor të vitit 2016 nga gjykata e shkallës se parë, Geci për këtë vrasje ishte dënuar me 4 vjet e gjashtë muaj burg.

https://kallxo.com/denohet-me-burg-gani-geci/

Ky rast ka qenë duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it.

Kurse në shtator të vitit 2017 kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, ndërsa është pranuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës tash e disa muaj.

Por, rigjykimi i kësaj lëndë nuk ka filluar ende, për arsye se nuk i është caktuar asnjë gjyqtari.

https://kallxo.com/gani-geci-nuk-ishte-vrasje-por-mbrojtje-e-nevojshme/

Zyrtarë në Gjykatën e Mitrovicës kanë thënë për KALLXO.com se kryetari i Gjykatës ende nuk ia ka caktuar ndonjë gjyqtari për ta gjykuar.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga procesi kundër Gani Gecit. Të gjitha raportet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni këtu.