FOTO - Gani Geci - FCB

Avokati i Gani Gecit: Kemi pritur lirim, por Gjykata mendoi ndryshe

Gjykata themelore në Mitrovicë, ka shpallur sot aktgjykimin fajësues duke e dënuar Gani Gecin me tre vjet e gjysmë burgim. Me këtë aktgjykim ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci është dënuar pasi u shpall fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në njërën nga kafeteritë e Skënderajt.

Mbrojtësi i Gani Gecit, Ndrecë Dodaj ka thënë për KALLXO.com se ndaj Gecit është bërë ricilësimi i veprës penale.

“Trupi gjykues ka arsyetuar veprën, ka bërë ricilësimin nga vrasje e rëndë duke u bazuar në gjendjen faktike që është vërtetuar gjatë gjykimit dhe ka rezultuar me vrasje e privilegjuar apo vrasje nga tronditja e fortë mendore”, ka thënë avokati Dodaj për KALLXO.com.

“Akoma nuk e kemi marrë vendimin, për momentin nuk e di se a do ta apelojmë apo jo. Ne kemi pritur që do të lirohet, por Gjykata ka menduar ndryshe”, shtoi Dodaj.

Ai po ashtu tha se Geci është dënuar për vrasje të privilegjuar me 3 vjet burg dhe për armëmbajtje pa leje është dënuar me 10 muaj burg, ndërsa dënimi unik i bie 3 vjet e gjysmë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill 2016, Gani Geci akuzohet se me 4 gusht 2014 në Skënderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur, si rezultat i një konflikti të mëhershëm të datës 19 tetor 2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri sipas aktakuzës ishte duke dalë nga kafeteria dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri që ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas aktakuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të daljes nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin, i cili sipas aktakuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri, kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gecit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në aktakuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast i pandehuri është ndjerë sipas aktakuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri dhe kishte nxjerrë revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Kujtojmë se më 3 qershor, Gjykata Themelore në Mitrovicë, kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet dhe 6 muaj burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Ndërsa Apeli më 26 shtator 2017, e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK

Gani Geci dënohet me tre vjet e gjysmë burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit