Ekspertiza nga Zagrebi Shtyu Seancën Ndaj Enver Sekiraqës

Një ekspertizë e cila është dërguar në institutin e Forenzikës në Zagreb e cila do të përcaktojë nëse Triumf Riza ishte i dehur në momentin e vrasjes apo jo, dhe rezultatet e së cilës nuk kanë arritur ende, shtynë seancës në gjykimin e Enver Sekiraqës të hënën.

Në këtë rast Enver Sekiraqa po akuzohet për shtytjen në vrasjen e Triumf Rizës.

Lidhur me vrasjen e Triumf Rizës është dënuar Arben Berisha me 35 vjet burgim në një gjykim të mëhershëm.

Ekspertja toksikologe  Safete Gashi-Naka në dëshminë e saj kishte thënë se sipas një llogaritje të saj, Triumf Riza në momentin e vrasjes ishte i dehur.

Sipas Gashit-Nakës, sasia e alkoolit në trupin e Rizës ishte 2.66 promil dhe kjo, sipas ekspertes, konsiderohet dehje e rëndë. Gashi-Naka, këtë konstatim të saj e kishte dhënë në dëshminë e saj të 6 nëntorit të vitit të kaluar dhe përsëri e kishte ri-konfirmuar këtë më 4 dhjetor.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Sedek, në seancën e mbajtur në 4 dhjetor të vitit të kaluar kishte njoftuar palët se me qëllim të konstatimit të së vërtetës kjo çështje do të dërgohet në Institutin e Forenzikës në Zagreb, ndërsa dje tha se kjo ekspertizë ende nuk ka ardhur dhe ka pasur disa vonesa.

“Për fat të keq opinioni i tyre nuk është i gatshëm ende, ne jemi në kontakt me institutin e krim-teknikës në Zagreb duke tentuar që ata t’i shpejtojnë procedurat e tyre por ka pasur një problem të vogël. Provat materiale që i kemi dërguar janë mbajtur një kohë më të gjatë në doganën e tyre dhe kjo është arsyeja e kësaj tejzgjatje”, tha Arcadius Sedek.

Enver Sekiraqa gjatë gjithë procesit ka deklaruar pafajësinë e tij lidhur me këtë rast, ndërsa Arben Berisha në dëshminë e tij, ka thënë se vrasjen e Rizës e kishte kryer pasi që kishte pasur probleme me të ndjerin Riza dhe ishte rrahur prej tij.