
Policia Shpërthen Bombën te Shtëpia e Murat Mehës
Policia ka përfunduar operacionin e saj te shtëpia e Murat Mehës pas shpërthimit të kontrolluar të bombës që ishte gjetur në terasën e shtëpisë sot rreth orës 14:00. Njësitet janë larguar dhe rruga tani është liruar për qarkullim.
15:52
Njësitet e zjarrfikësve janë larguar nga shtëpia e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Demarkacionit, Murat Meha, pas shpërthimit të kontrolluar të bombës nga ana e policisë pak minuta më parë.
15:35
Policia e Kosovës ka kryer shpërthimin e kontrolluar të mjetit shpërthyes në shtëpinë e Murat Mehës në lagjen “Dardania” të Prishtinës.
15:31
Shtëpia e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacionin, Murat Mehës, është rrethuar me shirita të policisë pasi është dhënë alarmi për një mjet shpërthyes në mjediset e saj.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke u marrë me këtë rast.
“Rreth orës 14, policia është njoftuar se ne terasën e një shtëpie në lagjen ‘Dardania’ ndodhet një mjet shpërthyes. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Njoftimi për mjetin shpërthyes ka ardhur pak çaste para se Murat Meha të dalë para gazetarëve bashkë me kryeministrin Isa Mustafa për ta prezantuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Meha është duke qëndruar në konferencë pavarësisht gjendjes në shtëpinë e tij.
Ndërsa kryeministri Isa Mustafa e dënoi hedhjen e mjetit shpërthyes në shtëpinë e mehës duke e vlerësuar atë si “sulm”.