Dy Ekspertiza Sqarojnë Vrasjen e 27 Vjeçarit

Për vrasjen e Gashit në shtator të vitit 2014 akuzohet Shaban Tërmkolli.

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka vazhduar me shqyrtimin gjyqësor në lidhjen me vrasjen e 27 vjeçaritLabinot Gashi.

Ekspertizat i në seancën e sotme i paraqitën Naim Haliti, ekspert i mjekësisë ligjore dhe Lutfi Raci, ekspert i balistikës.

Eksperti Haliti në detaje tregoi se si është kryer vrasja, nga çfarë pozite, cilat armë janë përdorur dhe cilat pjesë të trupit i ka prekur predha.

“Mjeti që ka shkaktuar vdekjen është predha që ka dalë nga arma e zjarrit e cila është gjetë në kanalin e shtyllës kurrizore në qafë. Vdekja e të ndjerit ka ardhur si pasojë e dëmtimit apo këputjes së qendrave vitale njerëzore në palcën kurrizore që është e lidhur me trurin, e që ka qenë vdekjeprurëse,” vlerësoi Haliti.

Haliti tregoi edhe lëvizjet e predhës nëpër trupin e viktimës.

“Hyrja e predhës ka ardhur nga ana e djathë e gojës për të kaluar të këndi i djathë i gojës, ka kaluar në inde të buta, ka thyer dhëmbin e tetë, pastaj thyen unazën e dytë të qafës ku këput palcën kurrizore dhe ndalet predha,” shpjegoi Haliti.

Eksperti tha se mund të konstatohet se qitja ka qenë nga largësia sepse nëse ka qenë më afër se një metër do të liheshin disa gjurmë në trup.

“ Bazuar në faktorët plotësues të armës së zjarrit si janë blozrat, vajrat , grimcat e barotit nuk i kemi hasë në vrimën hyrëse, të cilat do të na ndihmonin të dimë largësinë, sepse maksimumi për të ditë këtë është 1 metër, se a ka qenë 1.5 metër, 15 apo më shumë nuk mund ta konstatojmë, por quhet qitje nga largësia,” sqaroi Haliti.

Eksperti i balistikës Lutfi Raci dha sqarime rreth armës së përdorur për vrasjen e Labinot Gashit.

“Arma ka qenë e tipit ‘Ecol Special’. Kjo pistoletë është e prodhuar në Turqi. Gjatë ekzaminimit që ia kemi bërë pistoletës kemi vërejtur se pistoleta është dizajnuar në mënyrë që të shkrepë fishekë të barotit të kalibrit 7.65 milimetër, gjatë ekzaminimit kemi gjetur se dy predha të kalibrit 7.65 x 17 milimetër kanë qenë vdekjeprurëse,” tha eksperti i armëve Lutfi Raci.

Sot ishte e paraparë që të merret deklarata e të akuzuarit por ajo u shty për 11 korrik, kur pritet të jepet edhe fjala përfundimtare e palëve.

KALLXO.com raportoi edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/deshmitari-flet-per-shokun-e-vrare/