Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi - Foto: Facebook

Driton Kuka Reagon Pas Informacioneve të Publikuara në Emër të Majlindës

Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, ka reaguar pas disa informacioneve të publikuara në emër të kampiones olimpike në rrjetin social “Facebook”.

Sipas një postimi në një profil me fotografi dhe emër të Majlindës, ajo tregonte se kinse është informuar për një ndeshje të kurdisur mes saj dhe një xhudisteje serbe.

Sipas këtij profili, asaj nga zyrtarë të lartë kinse i është kërkuar ta humbte ndeshjen dhe kërkonte mendimin e qytetarëve se si të vepronte.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit të kampiones.

Në një postim në profilin e tij, Driton Kuka ka thënë se Majlinda nuk ka profil në “Facebook” e as në asnjë rrjet tjetër social.

Kuka i ka bërë thirrje Policisë së krimeve kibernetike që të parandalojë matrapazët dhe mashtruesit që paraqiten në emër të Majlindës.

“Mediat sidomos elektronike të gjitha e dijnë që Majlinda ska fb prandaj lajmi i jepur prej disa portaleve është jo korrekt dhe për përfitime të ulta!”, ka shkruar Driton Kuka.