Zbulimi i pllakës përkujtimore në Vërbovc të Drenasit - Foto: Facebook

Drenas, Zbulohet Pllaka Përkujtimore e 42 Dëshmorëve dhe 280 Martirëve

Në fshatin Vërboc të Drenasit është zbuluar sot pllaka përkujtimore për 42 dëshmorët dhe 280 martirët e fshatrave Vërboc, Shtuticë, Polluzhë, Tërstenik, Gllobar, Dashec, Baks dhe fshatrave përreth që ishin vrarë nga forcat serbe në fund të prillit dhe fillim të majit të vitit 1999.

Pllaka përkujtimore, e cila është rregulluar nga Komuna e Drenasit, është vendosur pranë lapidarit të komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra.

Siç njofton Komuna e Drenasit në këtë ceremoni morën pjesë kryetari Ramiz Lladrovci, drejtorë të drejtorive komunale, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë e shumë qytetarë.

Në një fjalë rasti, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se kjo pllakë përkujtimore do t’ua kujtojë të gjithëve se “ky vend ka qenë dhe mbetet i shqiptarëve të persekutuar që nga Perandoria Osmane e deri në luftën e fundit të vitit 1999”.

Pllaka përkujtimore është zbuluar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.