Nexhmi Krasniqi (në rroba civile).

Drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, dërgohet në Policinë Kufitare

Nexhmi Krasniqit, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Prizren, sot i është ndërruar pozita.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Krasniqi.

“Po më është ndërruar pozita, tani jam në Departamentin për Kufijtë, në veri perëndim të Gjakovës”, ka thënë Krasniqi.

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë ndërrimin e disa pozitave për eprorët e saj.

Agron Nezaj, i cili deri sot mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, është larguar nga kjo pozitë dhe është transferuar në Njësinë Speciale.

KALLXO.com ka kontaktuar me Nezajn i cili i ka konfirmuar se ka marrë konfirmimin nga ana e udhëheqësisë së policisë se nuk është më drejtor i kësaj drejtorie.

“Po kjo është e vërtetë, nuk jam më në pozitën që isha. Tani jam në Njësi Speciale”, tha Nezaj.

Ai nuk tregoi se në cilën pozitë do të funksionojë në Njësinë Speciale të Kosovës.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar edhe për ndërrimin e pozitës së Drejtorit të Rajonit të Policisë së Prishtinës Rexhep Sijarina.

Ai do të transferohet në Policinë Kufitare.

Edhe vetë Sijarina ka konfirmuar për KALLXO.com se do të ketë ndryshim të pozitës por tha se nuk kishte marrë asgjë zyrtare.

KALLXO.com do të ju informojë edhe për ndryshimet e pozitave të tjera në Policinë e Kosovës.

Nga koha që ka ardhur në krye të Policisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm Rashit Qalaj ka bërë një ristrukturim të pozitave drejtuese të zyrtarëve policorë.