Dosjet për kompensimin e dëmeve të luftës përsëri dërgohen në Kushtetuese

Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese, rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë së Aktvendimeve të Gjykatës Supreme.

Kryetari i shoqatës, Jahir Bejta në deklarata për media ka thënë se në shqyrtim të kërkesës për kompensimin e dëmeve të luftës janë duke u bërë padrejtësi.

“Janë duke u bërë padrejtësi nga ana e gjykata vendore përkitazi me shqyrtimin e kërkesëpadive për kompensimin e dëmeve të luftës, ndaj sot është një prononcim me moton “Kushtetuese mbroje kushtetutën, drejtësi dhe gjyqësor të pavarur dhe vetting”, derisa politika t’i largojë duart nga drejtësia, nuk do të ketë drejtësi dhe të ketë një vetting në gjyqësor, ka thënë Bejta.

Ai po ashtu ka thënë se gjyqësori ka dështuar në ofrimin e ndihmës për palët paditëse.

“Aktvendimet e gjykatës themelore dhe gjykatës supreme të Kosovës, të cilat janë në kundërshtim me ligjin, janë në kundërshtim me ligjin e procedurës kontestimore, me kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë në kundërshtim me konventat, marrëveshjet dhe principet ndërkombëtare dhe janë në kundërshtim me konstatimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, andaj gjyqësori ka dështuar në ofrimin e palëve paditëse, respektivisht viktimave, që gjatë luftës kanë pësuar dëme”, ka shtuar ai.