Foto: Arkiv

Djegia e Kurdisur

Natën e mbrëmshme në orën 23 e 10 një veturë, pronë e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit është përfshirë nga flakët në Pejë.

Sipas policisë së rajonit të Pejës dyshohet se në drejtim të veturës është hedhur koktej molotovi.

Zëdhënësi i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, Lamir Thaçi e konfirmoi dëmtimin e veturës.

“Po, vetura i takon Zyrës Regjionale të Veterinës dhe Ushqimit në Pejë, këtë veturë e përdornin ekspertët e agjencisë,” tha Thaçi.

Një makinë tjetër pronë e Gjykatës Themelore në Gjakovë është djegur në oborrin e degës së kësaj gjykate në Malishevë në orën 22 e 35.

Kryetari i Gjykatës në Malishevë Lulzim Paçarizi, e konfirmoi për KALLXO.com dëmtimin e veturës.

“Vetura është djegur në oborrin e gjykatës. Ne kemi njoftuar policinë dhe e kemi parë në kamerat që i kemi se kanë qenë tre persona me maska, në fillim kanë gjuajtur me gurë pastaj me koktej molotovi në drejtim të veturës,” tha Paçarizi.

Një veturë tjetër është djegur dje edhe në Mitrovicë.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës Avni Zahiti konfirmoi për KALLXO.com se është dëmtuar një veturë në këtë qytet.

“Një veturë e Prokurorisë Speciale është djegur mbrëmë rreth orës 22:30 në Rrugën ‘Afrim Zhitia’ afër QKMF në Mitrovicë,” tha Zahiti.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjilanit tha se vetura e djegur në këtë qytet është e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“ Në orën 22:38 është djegur një veturë me qëllim në oborrin e Qendrës për Regjistrim të Veturave,” tha Hashani.

E në Ferizaj zëdhënësi i policisë për këtë rajon Agim Gashi se vetura e djegur i takon Qendrës për Punë Sociale.

“Rreth orës 23:00 në Rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’ është djegur një veturë e qendrës sociale e cila ka qenë e parkuar afër qendrës, vetura është djegur me lëndë djegëse dhe është dëmtuar brenda,” tha Gashi.

Pas djegieve të mbrëmshme policia ka dalë në vend të ngjarjes, por deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar.

Kohëve të fundit janë djegur shumë vetura zyrtare dhe familjare të zyrtarëve politikë dhe atyre të sistemit të drejtësisë.