Ilustrim

Një i akuzuar i vdekur, tjetri në Serbi; zvarritet gjykimi për kontrabandën 3 milionëshe të naftës

Dy  persona po akuzohen se për tre vjet kanë futur naftë nga Serbia në Kosovë duke shmangur pagesën e tatimit.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Millan Bozhoviçin dhe Zhelko Milloshinaviçin se i kanë shkaktuar dëm mbi 1 milionë euro Doganës së Kosovës nga shmangia e akcizës. Malli i futur në Kosovë, sipas prokurorisë, kalon vlerën e 3 milionë eurove.

Gjykata nuk ka prova nëse i akuzuari Zhelko Millashinoviq është ftuar në mënyrë të rregullt dhe në mungesë të tij, seanca është shtyrë për 26 mars.

Në këtë çështje penale i akuzuar ishte edhe Dragomir Bozhoviq mirëpo i njëjti ka vdekur dhe gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj tij.

Ndërsa në lidhje me të akuzuarin Zhelko Millashinoviq gjykata është njoftuar se ai jeton në Beograd dhe do të mundohet që ta thërrasë përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë seancë ishte paraparë që të akuzuarit të deklaroheshin lidhur me fajësinë.

Kjo seancë kishte dështuar të mbahej me datën 20 dhjetor 2019.

Dosja e Prokurorisë: Si u kontrabanduan mbi 3 milionë euro naftë nga Serbia?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit nga muaji maj i vitit 2009 e deri në korrik të 2011-tës kanë kontrabanduar karburante nga Serbia në Kosovë përmes pikave kufitare Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kontrabandimi sipas prokurorisë është kryer  sepse në vitin 2009 zyrtarët e EULEX-it në pikat e lartëpërmendura doganore vetëm kanë regjistruar mallin e hyrë në Serbia ndërsa  zhdoganimi është dashur të kryhet në pjesën jugore të Mitrovicës.

Millan Bozhoviq akuzohej si pronar i kompanisë P.P ‘’MIN PROM’’ i regjistruar në agjensionin e biznesit në Kosovë e poashtu edhe si bashkëpronar i të njëjtës kompani të regjistruar në Serbi bashkë me Dragomir Bozoviq si pronar i kësaj kompanie të regjistruar në Serbi.

Ndërsa i akuzuari i tretë Zhelkjo Millashinoviq akuzohet si vozitës i mauneve për transportin e karburanteve të blera në Serbi.

Aktakuza thekson se derivatet e futura ilegalisht janë dërguar në pompat e benzinës që gjendeshin në veri duke u shitur më lirë se çmimi i tregut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit nga Serbia në Kosovë kanë future ilegalisht mallra në vlerë prej 3 milionë e 35 mijë e 911 euro e 36 cent e më këtë Doganës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm duke i’u shmangur pagesës së akcizës në shumë prej 1 milion e 243 mijë e 248 euro e 59 cent.

Këtu përfshihet tatimi i TVSH-së në shumë prej 684 mije e 681 euro e 60 cent, tatimit të paragjykuar 3 për qind në vlerën e shitur në shumë prej 92 mijë e 700 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën rreth 31 mijë euro.