Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Masat ndaj coronavirusit, anulohet seanca për kontrabandën 3 milionëshe të naftës nga Serbia

Gjykimi ndaj Millan Bozhoviqit dhe Zhelko Millashinoviqit të akuzuar për kontrabandimin e naftës nga Serbia ka dështuar të mbahet për të katërtën herë.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Millan Bozhoviqin dhe Zhelko Milloshinoviçin se i kanë shkaktuar dëm mbi 1 milionë euro Doganës së Kosovës nga shmangia e akcizës. Malli i futur në Kosovë, sipas prokurorisë, kalon vlerën e 3 milionë eurove.

Anulimi i seancës kishte ardhur si rezultat i nxjerrjes së vendimit të KGJK-së më 15 mars 2020, pas konfirmimit të rasteve pozitive me coronavirusin Covid-19, në të cilin vendim janë reduktuar esencialisht aktivitetet e Këshillit Gjyqësor dhe të gjitha gjykatave të Kosovës e duke realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

I kontaktuar nga KALLXO.com, avokati Faruk Korenica, mbrojtës i të akuzuarit Millan Bozohoviq, tha se vendi është në gjendje emergjente për shkak të virusit dhe natyrisht që është anuluar seanca.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të akuzuarit të ballafaqoheshin me akuzën e  prokurorisë dhe të deklaroheshin rreth pranimit të fajësisë.

I bashkë akuzuar në këtë gjykim ishte edhe babai i të akuzuarit Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq, por procedura ndaj tij ka pushuar pasi ai ka vdekur.

Seanca ndaj të akuzuarve Bozhoviq dhe Millashinovic kishte dështuar të mbahej në muajin dhjetor 2019 dhe janar 2020 në mungesë të akuzuarit Zhelko Millashinoviq.

Për mungesën e të akuzuarit Zhelko Millashinoqviq, ai akuzuari Bozhoviq i ka thënë gjykatës se ai gjendet në Beograd.

Dosja e Prokurorisë: Si u kontrabanduan mbi 3 milionë euro naftë nga Serbia?

Dosja e Prokurorisë: Si u kontrabanduan mbi 3 milionë euro naftë nga Serbia?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit nga muaji maj i vitit 2009 e deri në korrik të 2011-tës kanë kontrabanduar karburante nga Serbia në Kosovë përmes pikave kufitare Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kontrabandimi sipas prokurorisë është kryer  sepse në vitin 2009 zyrtarët e EULEX-it në pikat e lartëpërmendura doganore vetëm kanë regjistruar mallin e hyrë në Serbia ndërsa  zhdoganimi është dashur të kryhet në pjesën jugore të Mitrovicës.

Millan Bozhoviq akuzohej si pronar i kompanisë P.P ‘’MIN PROM’’ i regjistruar në agjensionin e biznesit në Kosovë e poashtu edhe si bashkëpronar i të njëjtës kompani të regjistruar në Serbi bashkë me Dragomir Bozoviq si pronar i kësaj kompanie të regjistruar në Serbi.

Ndërsa i akuzuari i tretë Zhelkjo Millashinoviq akuzohet si vozitës i mauneve për transportin e karburanteve të blera në Serbi.Aktakuza thekson se derivatet e futura ilegalisht janë dërguar në pompat e benzinës që gjendeshin në veri duke u shitur më lirë se çmimi i tregut.Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit nga Serbia në Kosovë kanë future ilegalisht mallra në vlerë prej 3 milionë e 35 mijë e 911 euro e 36 cent e më këtë Doganës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm duke i’u shmangur pagesës së akcizës në shumë prej 1 milion e 243 mijë e 248 euro e 59 cent.Këtu përfshihet tatimi i TVSH-së në shumë prej 684 mije e 681 euro e 60 cent, tatimit të paragjykuar 3 për qind në vlerën e shitur në shumë prej 92 mijë e 700 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën rreth 31 mijë euro.