Dështon seanca ndaj të akuzuarit për përvetësimin e 273,107.39 eurove

 

Seanca fillestare e gjykimit ndaj të akuzuarit Srboljub Dimitrijeviq, i cili nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se ka përvetësuar mbi 273,107.39 euro gjatë ushtrimit të detyrës, ka dështuar të mbahet.

Arsye e mos mbajtjes ishte mungesa e mbrojtësit të të pandehurit, avokatit Kapllan Baruti.

I akuzuari Dimitrijeviq para fillimit të seancës e kishte dorëzuar gjykatës autorizimin me të cilin e ka caktuar avokatin Kapllan Baruti që ta përfaqësoj në këtë qështje penale, por i njëjti nuk ka prezantuar në seancë.

Lidhur me këtë i pandehuri ka thënë se ditën e djeshme avokati Kapllan Baruti e kishte njoftuar të pandehurin se sot ka një rast tjetër dhe nuk mund të prezantoj në gjykatë.

Meqenëse në gjykatë ka prezantuar avokati Muharrem Ramadani, i pandehuri u pyet nga gjykatësi i rastit Beqir Halili se nga cili avokat dëshiron të përfaqësohet.

Kurse pas kësaj ai ka deklaruar se dëshiron që të mbrohet nga avokati Baruti të cilin edhe e kishte angazhuar privatisht.

Ndërsa avokatin Muharrem Ramadani, gjykatësi e ka shkarkuar nga përfaqësimi i të pandehurit.

Për shkak të mungesës së avokatit Kapllan Baruti, e me ç’rast nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta me aktvendim nga gjykatësi Beqir Halili është shtyrë për 16 maj.

Sipas akuzës Srboljub Dimitrijeviq akuzohet se nga janari 2005 deri në dhjetor 2015 në cilësinë e shefit të kontabilitetit në firmat “Auto moto drushtvo“ dhe “Auto moto Remont“ në Mitrovicë e cila është regjistruar së pari të UNMIK-u, e pastaj është regjistruar edhe te Agjencioni i Kosovës për regjistrimin e bizneseve si “Auto moto drushtvo“ Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që janë besuar në bazë të detyrës.

Sipas akuzës i njëjti duke mos regjistruar të hollat në evidencat e kontabilitetit, kthimin e akontacioneve (paradhënie të punëtorëve), duke tërhequr para kesh nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273.107.39 euro.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.