Gjykimi i zyrtarëve të institucionit financiar "Lesna" - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët: Nuk e kemi ditur se ishim garantues për kredi në ‘Lesna’

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi i zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna”, Ardian Jonuzi e Berat Hasani, të akuzuar për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Në këtë proces, dëshminë sot e kanë dhënë Sead Tmava dhe Liridon Meholli.

Dy dëshmitarët thanë se nuk kanë qenë në dijeni se kanë qenë garantues në marrjen e kredive në këtë institucion financiar.

Sead Tmava deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni se ai kishte qenë garantues për marrjen e kredisë.

“Pa dijeni kam qenë garantues. Unë nuk kam nënshkruar askund dhe nuk kam ditur asgjë derisa më ka lajmëruar Policia“, u shpreh dëshmitari.

Kurse pas pyetjes se prokurorit Ismet Ujkani lidhur me faktin se si kopja e letërnjoftimit të dëshmitarit Sead Tmava është pjesë e dokumenteve të kredisë të marrë nga Henora Rexhepi në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë, dëshmitari Tmava tha se kopjen e letërnjoftimit ia ka dorëzuar Avdullah Ferizit, ngase ky i fundit i kishte premtuar punësim në fermën e tij të bagëtive.

Tutje Tmava theksoi se përveç dokumenteve të tij personale, Avdullah Ferizit ia kishte dorëzuar edhe dokumentet e bashkëshortes së tij, Naime Bojku, e cila ka dëshmuar një ditë më herët në këtë rast me qëllim që sipas tij, Avdullah Ferizi t’i punësojë në fermën e tij.

Ndryshe, Avdullah Ferizi kishte pranuar akuzën për mashtrim ndërsa më 27 shkurt 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me dy vjet burgim dhe ishte obliguar që në vlerë prej 43.500 euro të kompensojë katërmbëdhjetë të dëmtuarit, të cilët sipas Prokurorisë kanë rënë pre e mashtrimit gjatë vitit 2011, derisa i akuzuari ka ushtruar detyrën e menaxherit të fermës së bagëtive.

Në anën tjetër edhe dëshmitari Liridon Meholli deklaroi se nuk ka qenë në dijeni se ka qenë garantues në marrjen e kredisë në institucionin financiar “Lesna” nga ana e Naime Bojkut.

Dëshmitari deklaroi se nuk e njeh të pandehurin Ardian Jonuzi.

Kurse lidhur me atë se si letërnjoftimi i tij ishte pjesë e dokumenteve të kredisë së marrë nga Naime Bojku, dëshmitari Liridon Meholli tha se dokumente personale nuk i ka dhënë asnjëherë askujt.

Tutje shtoi se djalin e Abdullah Ferizit (Hoxhës) e kishte pasur në klasë dhe se ndoshta ai e kishte marrë letërnjoftimin tij dhe e kishte fotokopjuar.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ardian Jonuzin dhe Berat Hasanin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin bankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç ‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Ardian Jonuzi ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredimarrësve.

Kurse Berat Hasani akuzohet se në emër të kredimarrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.

http://kallxo.com/gjykimi-kunder-zyrtareve-te-lesna-s-deshmitaret-mohojne-te-kene-aplikuar-per-kredi/

Ndërsa dje në këtë gjykatë janë dëgjuar dëshmitë e Hënora Rexhepit, Naime Bojkut dhe Astrit Sylës.

Rexhepi dhe Bojku gjatë dhënies së dëshmive të tyre, para trupit gjykues të kryesuar nga Beqir Halili kanë deklaruar se nuk kishin qenë në dijeni se në emër të tyre është aplikuar për kredi në blegtori në institucionin financiar “Lesna” në Mitrovicë.

Kurse Astrit Syla, kishte deklaruar se nuk ka qenë garantues në marrjen e kredisë nga Naim Zuka në këtë institucion dhe se këtë e kishte kuptuar më vonë.