Mbrojtja e Sali Asllanajt kundërshton 33 provat materiale të prokurorisë

Prokuroria  Themelore Prizren,  ka ngritur aktakuzë ndaj Sali Asllanajt, ish- kryetar i Suharekës, dhe dy zyrtarëve tjerë – Sherif Berishës, ish- drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë dhe Milazim Hajdarit, drejtor i ShFMU “Bajram Curri”të Nishorit.

Tre të akuzuarit, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar.

Sot në Gjykatën Themelore Prizren, u mbajt shqyrtimi i dytë, ku mbrojtësit e të akuzuarve paraqitën kundërshtimet e tyre lidhur me provat e aktakuzës.

Mbrojtësi i Sali Asllanajt, avokat Sehad Haliti  me shkrim i ka paraqitur gjykatës,  kundërshtimet  e tij për provat e aktakuzës, dhe kërkoi hudhjen e aktakuzës, ndaj Sali Asllanajt.

Gjithashtu avokati Haliti shtoi se sa i përket pjesës së aktakuzës se Sali Asllanaj ka shkaktuar dëm në vlerë prej 10 mijë e 550 Euro, të njëjtit i paraqitën gjykatës një ekspertizë financiare, nga e cila rezulton se në rastin konkret nuk ka dëm të shkaktuar, dhe avokati Haliti i propozoi gjykatës që njëherit edhe kjo ekspertizë të vlerësohet si provë nga gjyqtari i çështjes.

Sali Asllanaj,  tash i angazhuar si këshilltar i LDK-së në asamblenë komunale, deklaroi që qëndron pranë prentedimeve dhe të thënave të mbrojtësit të tij.

Gjithashtu edhe mbrojtësit, avokat Brahim Sopa dhe avokat Blerim Bajrami, kundërshtimet e tyre për provat dhe aktakuzën i paraqitën me shkrim, dhe qëndruan në tërësi pranë asaj se çfarë kanë paraqitur në kërkesat me shkrim. 

Mbrojtësi i të akuzuarit Milatim Hajdari, avokati Blerim Bajrami, shtoi se gjithashtu së bashku me kërkesën e tyre gjykatës i kanë paraqitur edhe disa prova materiale të cilat konsideron se gjykata duhet ti administrojë dhe ti vlerësojë.

Prokurori i shtetit Mehdi Sefa, i cili zëvendësoi prokuroren Ervehe Gashi e cila e ka ngritur aktakuzën, pati kundërshtime me ekspertizën e paraqitur nga mbrojtja e Sali Asllanajt.

Kjo pasi që sipas prokurorit Mehdi Sefa, ekspertiza e paraqitur nga avokati Sehad Haliti, është në kundërshtim me kodin e procedurës penale, meqenëse sipas prokurorit Sefa mbrojtësi nuk ka paraqitur një kërkesë me shkrim në prokurori  për ekspertizë financiare, dhe nuk ka një refuzim apo aprovim nga ana e prokurorit, gjithashtu prokurori Sefa theksoi faktin se ”… avokati Sehad Haliti, këtë ekspertizë financiare ka qenë i obliguar në afat prej 14 ditësh pas përpilimit të ekspertizës financiare të njofton prokurorin e çështjes, dhe përderisa ekspertiza apoa analiza financiare është kryer me datë 30 nëntor, e njëjta më është dorëzuar sot në shqyrtimin gjyqësor pra me datë 21 ”.

Andaj prokurori i shtetit konsideron se kjo është provë e papranueshme dhe e sjellur në kundërshtim me dispozitat ligjore të kodit të procedurës penale.

Në përfundim gjyqtari i çështjes Artan Sejrani, pasi që përfundoi shqyrtimi i dytë, bëri me dije që pasi të vlerëson pretendimet e palëve, dhe varësisht se çfarë vendimi do të ndërmerret lidhur me kërkesat e mbrojtësve, palët do të njoftohen edhe për shqyrtimet e ardhshme gjyqësore.

https://kallxo.com/sali-asllanaj-aktakuza-ndaj-meje-e-paqendrueshme/