Dëshmia 7-orëshe e Drejtorit të “Besa Security”

Drejtorit të kompanisë  “Besa Security”  Granit Hasani i janë dashur shtatë orë për rrëfyer ngjarjen për të cilën po gjykohen  Drejtori i KEK Arben Gjuka, Kreytari i Skenderajt Sami Lushtaku, ish-shefi i prokurimit në KEK Driton Pruthi, ish-shefi i OShP-së Hysni Hoxha dhe biznesmenët Esat Tahiri e Milazim Lushtaku.

Në dëshminë e tij ai nuk e ka përmendur në asnjë rast kreun e Skenderajt Sami Lushtakun, ndërsa është koncentruar të dëshmojë për shkeljet në procedurën e prokurimit e cila e eliminoi atë nga konkurrenca duke e bërë fitues të tenderit kompaninë “Security Code”, pronë e nipit të Sami Lushtakut, Milazim Lushtaku.

Tenderi për të cilin këta zyrtarë janë në gjyq ishte shpallur në vitin 2012 dhe në nisje të tij kompania “Besa Security” ishte eliminuar si e papërgjegjshme.

“Ne ishim eliminuar për një dokument i cili ishte pa afat dhe pse ndoshta kishte pak ditë që kishte skaduar dhe ishte shpallur vetëm një tender i përgjegjshëm në këtë rast,” tregoi Hasani.

Hasani tregoi se të papërgjegjshëm ishin shpallur të gjithë ofertuesit ekonomikë të tjerë me përjashtim të kompanisë “Security Code”.

Në këtë moment sipas dëshmitarit KEK-u e kishe anuluar tenderin me arsyetimin se nuk mund të vazhdohej me vetëm një ofertues.

Sipas dëshmitarit, ankesa e “Security Code” në OShP e kishte kthyer tenderin në rivlerësim.

Gjatë procesit të rivlerësimit komisioni i formuar nga KEK-u i kishte kërkuar kompanisë së  Hasanit licencat e nevojshme nga Ministria e Punëve të Brendshme. Hasani tregoi se të gjitha licencat e kërkuara nga komisioni i KEK-ut i kishin plotësuar dhe dorëzuar në kohën e nevojshme.

Mirëpo Hasani tregoi se përkundër se plotësuan kërkesat e parashtruara nga komisioni i KEK-ut për rivlerësim, ata përsëri nuk u përzgjodhën si kompania fituese, por përsëri ishte shpallur fituese Security Code.

“Ne nuk ishim vlerësuar me pikët maksimale që është dashur t’i marrim. Në bazë të informatës që kemi marrë nga MPB-ja, “Security Code” nuk e ka pasë licencën për alarme përderisa WDG-ja nuk e ka pasur asnjë licencë,“ ka dëshmuar Hasani.

Në dëshminë e tij Hasani ka pretenduar se kompania e tij ishte vlerësuar me 83 pikë nga komisioni ri-vlerësues, ndërsa ajo duhej t’i kishte 93 pikë dhe të shpallej fituese e kontratës.

“Ishte më se e qartë se ne ishim më të lirët dhe ne nuk i morëm pikët,” tha Hasani.

Dëshmia e Hasanit është ndërprerë në orën 16:00 për shkak të përfundimit të orarit të punës dhe e njëjta do vazhdojë të premten në mëngjes.