Gjykimi për grabitje në Prugovc. Foto: Kallxo.com

Deklarohen të Pafajshëm të Akuzuarit për Vjedhje Grabitqare

Tre të akuzuarit për vjedhje grabitqare kanë dalë sot në gjykatore për t’u përballur me akuzat e prokurorisë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorja Vesa Limani, të akuzuarit Avdullah Leci, Ekrem Rexhepi, Bastri Tashevci u deklaruan se nuk ndihen fajtor për ato që ngarkohen me aktakuzë.

Si rrjedhojë, shqyrtimi i dytë u caktua për në muajin prill.

Tre të pandehurit akuzohen nga prokuroria Themelore në Prishtinë se kanë kryer akt të vjedhjes në grup. Gjatë vjedhjes, ata akuzohen se të dëmtuarin e kishin goditur në kokë duke i shkaktuar lëndime. Viktima kishte qëndruar pa vetëdije për 40 minuta.

Ngjarja kishte ndodhur më 22 dhjetor 2017 rreth orës 11:30 në fshatin Prugovc të komunës së Prishtinës, te serra për kultivimin e luleve e cila është në pronësi të të dëmtuarve Gëzim e Leart Dragusha.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Leart Dragusha ishte kthyer nga vendi i tij i punës në Prishtinë dhe kishte shkuar në serrë për ta kontrolluar, por papritmas kishte hasur në tre të pandehurit të cilët ishin të maskuar. Kur e kishte se ata kishin hyrë për të vjedhur, ishte përleshur me grabitësit.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit ia kanë marrë Dragushës kuletën me 70 euro, një gjenerator të tipit “Lombardini” me vlerë prej 1,200 euro, një prerëse metali e një turjelë dhe më pas kishin ikur nga vendi i ngjarjes me një automjet.