FSK

Daniel Serwer kritikon NATO-n për qëndrimin ndaj transformimit të FSK-së

Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka deklaruar se NATO është duke e mbështetur Beogradin, pasi po kundërshton krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në një shkrim autorial, Serwer thotë se Serbia po kërcënon me ndërhyrje në Kosovë nëse Kuvendi i Kosovës voton për të krijuar ushtrinë.

“Kosova nuk ka ushtri që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 që e shpëtoi atë nga përpjekjet e presidentit Millosheviç për të reduktuar popullsinë e saj shqiptare me forcë dhe shpalljen e pavarësisë së saj në 2008. NATO ka siguruar mbrojtjen territoriale të vendit, edhe pse ajo qeveris vetë dhe është njohur si shtet sovran nga rreth 110 vende”, thotë ai.

Amerikani Serwer shton se Prishtina tani dëshiron të konvertojë forcat e saj të sigurisë, të cilat janë të armatosura lehtë, në një ushtri.

Daniel Serwer

“SHBA, Britania e Madhe dhe NATO janë konsultuar tërësisht. Procesi do të zgjasë 10 vjet ose më shumë. Nëse forcat e NATO-s ndonjëherë do të largohen nga Kosova dhe do të dërgohen në misionet me prioritet të lartë, vendi do të duhet të ketë mjetet për të mbrojtur veten të paktën për disa ditë. NATO duhet të mbështesë ata që duan të lehtësojnë barrën e saj, jo ata që kërcënojnë agresionin”, vlerëson analisti.

Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, thotë se Ushtria  e Kosovës nuk ka të bëjë me kërcënim për të ardhmen në rajon.

Përkundër paralajmërimeve të NATO-s, Kosova e vendosur ta formojë ushtrinë

“Ajo që Serbia po përpiqet të bëjë është që të privojë Prishtinën nga një prej elementeve vitale të sovranitetit. Po përpiqet gjithashtu të gjejë një justifikim për të ndërhyrë dhe për të pushtuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës, ku figurojnë figura të krimit të organizuar në përputhje me autoritetet qeverisëse të Beogradit”, thotë ai.

Serwer e quan gabim serioz mbështetjen që sipas tij, NATO-ja po ia jep agjendës së Beogradit.

Amerikani është shfaqur kritik edhe ndaj BE-së për shtyrjen e afatit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, Serwer e cilëson si gabim vendimin e Qeverisë së Kosovë për t’i vënë taksë produkteve të Serbisë.

“Tarifat prej 100% që kohët e fundit që iu imponuan importeve të Serbisë janë shkelje e detyrimeve të saj ndërkombëtare sipas Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Por ky gabim do të korrigjohet përmes procesit normal të CEFTA-s”, tha ai.

Sipas analistit, Kosova po aq sa Serbia ka nevojë për perspektiva euro-atlantike nëse të dy vendet do t’i shpëtojnë spirales negative në të cilën janë mbyllur.

Analisti amerikan Daniel Serwer, një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” në shtator të këtij viti, kishte kundërshtuar ashpër idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit”.

Daniel Serwer: Me shkëmbimin e kufijve, Kosova rrëshqet prapa