Daniel Serwer

Serwer: BE dhe SHBA kanë bërë gabime serioze duke e qetësuar Serbinë dhe ndëshkuar Kosovën

Eksperti i çështjeve politike në Ballkan, njëherësh profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer vlerëson që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dy vitet e fundit kanë bërë gabime serioze në raport me Kosovën.

“Si BE ashtu edhe SHBA gjatë dy viteve të fundit, sipas meje, kanë bërë gabime serioze duke e qetësuar Serbinë dhe ndëshkuar Kosovën. E kundërta do të ishte më afër politikës së mirë, sipas mendimit tim”- tha Serwer në një intervistë për KALLXO.com.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar ka qenë i mirë me Kosovën në të kaluarën dhe se niveli aktual i zhvillimit demokratik dhe ekonomik nuk do të ishte i mundur pa ndihmën ndërkombëtare.

Kështu u përgjigj Serwer i pyetur nga KALLXO.com se si ka ndikuar përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare në zhvillimin politik të Kosovës dhe aftësinë e saj për të adresuar sfidat e brendshme dhe të jashtme në këto 16 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, sipas Serwer, Kosova gjithashtu duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me SHBA-në dhe BE-në.

“Nuk e fajësoj vetëm Prishtinën për mungesën aktuale të besimit të ndërsjellë, por Prishtina duhet të shmangë autogolat me partnerët e saj ndërkombëtarë. Më shumë konsultime mund të ndihmojnë”- tha ai.

Këto qëndrime, Serwer i ka shprehur para se Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien të deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 13.02.2024, O’Brien tha se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, deklaroi O’Brien.

Pos SHBA-së, edhe BE-ja ka bërë thirrje për Kosovën që të ndalë “veprimet e njeanshme” që prekin komunitetin serb për të evituar eskalimin e tensioneve, duke kërkuar kohë për zbatimin e politikës për përdorim të euros për serbët në Kosovë.

Rregullorja e Bankës Qendrore e cila ka hyrë në fuqi nga 01.02.2024 synon të luftojë paratë të falsifikuara, ndërkaq po kundërshtohet nga serbët e Kosovës.

 “Monedha e vetme e lejuar për të kryer transaksione me pagesë në cash dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro” – shkruan në rregullore.

Gjatë trazirave të majit 2023 në veri të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës në rast se autoritetet kosovare nuk veprojnë në shtendosjen e menjëhershme të situatës.

Bashkimi Evropian më 14.06.2023 kishte vendosur masa kufizuese me pasoja politike dhe financiare ndaj Kosovës, duke filluar nga suspendimi i vizitave të nivelit të lartë, kontakteve, ngjarjeve, po ashtu edhe në bashkëpunimin financiar me Kosovën.

Këtë vendim BE e kishte marrur në një linjë me deklaratën e 27 shteteve anëtare për masa me efekt të menjëhershëm.

Ndërkaq, SHBA kishte përjashtuar Kosovën  nga ushtrimi Defender 2023.

Defender 23 është një stërvitje e përbashkët shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së dhe NATO-s. Mbrojtësi i Evropës ‘23

Kjo stërvitje ishte stërvitja më e madhe dhe më efektive për Kosovën dhe FSK-në.

Që nga 26.05.2023 për gati një muaj serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit ishin grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Tensionet arritën kulmin më 29.05.2023 kur protestuesit u përplasen me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.