Daka pas takimit me Thaçin: Nuk diskutuam për data, do të shterren të gjitha mundësitë

Takimi i presidentit Hashim Thaçi me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën ka përfunduar para pak minutave.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një deklarim të shkurtë para mediave deklaroi se në rast se shpallen zgjedhjet, atëherë institucioni që ajo drejton do të bëjë kërkesë në Qeveri për buxhet.

“Nëse shpallen zgjedhjet, atëherë KQZ i kërkon mjetet financiare të nevojshme dhe pastaj vendoset për buxhet. Ky s’ka qenë vit zgjedhor, por nëse shpallen zgjedhjet, atëherë KQZ do të veproj sikur herëve të tjera”, tha Daka para mediave, menjëherë pas takimit me presidentin Thaci.

Ajo konfirmoi se nuk është diskutuar për ndonjë datë të zgjedhjeve, pasi që ende nuk janë shtjerrë të gjitha mundësitë kushtetuese.

“Nuk kemi diskutuar për data, s’mund të diskutojmë data pa u shterrë të gjitha mundësitë kushtetuese”, tha tutje Daka.

Vendi është në një kaos politik, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit të vendit. Kanë kaluar gati 2 javë prej dorëheqjes së tij, por Presidenti Thaçi ende nuk i ka takuar partitë politike për të vendosur për datën e zgjedhjeve.

Deri më tani të gjitha partitë politike janë deklaruar publikisht se janë për shkuarjen në zgjedhje.

Përveç që mund ta shpërndanë Kuvendin dhe ta çoj vendin në zgjedhje, presidenti i vendit, Hashim Thaçi mund edhe ta propozoj mandatarin e ri për kryeministër nga radhët e koalicionit.

Një veprim i tillë nga ana e Presidentin mund ta zgjasë me muaj datën e zgjedhjeve të reja, në rast se nuk votohet për kryeministër, mandatari i ri i propozuar.

Partitë politike e kanë diskutuar si opsion edhe mundësinë e vet shpërndarjes së Kuvendit që kërkon më shumë se 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.