Daçiq: UNMIK-u largohet nga Kosova vetëm me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq ka komentuar përpjekjet e reja të Kosovës për të formuar ushtrinë.

Ai tha se Amerika kohëve të fundit e ka ndryshuar politikën karshi dialogut Kosovë – Serbi.

“Ata nuk do të ndryshojnë politikën në aspektin e njohjes së Kosovës, por jo gjithçka është e zezë dhe e bardhë, nuk pres që të përfundojë në këtë mënyrë kur është fjala për ushtrinë e Kosovës, gjëja më e rëndësishme është të hapësh derën për dialog, sepse disa muaj më parë, Shtetet e Bashkuara kishin një qëndrim se nuk kishte asgjë për të folur”, tha Daçiq.

Ai po ashtu theksoi se UNMiK-u do të largohet nga Kosova vetëm nëse ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

“Amerika mund të shkruajë sa të dojë, nuk ka ndryshime në Rezolutën 1244 derisa Këshilli i Sigurimit të vendos. Derisa nuk ka konsensus, kjo gjë nuk do të ndodhë. UNIMKU nuk do të largohet nga Kosova. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëse Rusia dhe Kina e mbështesin këtë çështje, e që është një trillim shkencor”, tha Daçiq në një intervistë për televizionin serb First.

Ai tha se gjatë vizitës në Vjenë i është premtuar se Austria nuk do të votojë pro Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave si dhe se Serbia po mundohet të luftojë kundër mbështetjes amerikane për pranimin e Kosovës në Interpol.