Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Daçiq: Nuk ka kufi mes Kosovës e Serbisë, andaj s’do të ketë demarkim

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që të bëhet demarkimi i kufirit mes Kosovës e Serbisë, deklaroi se në mes Kosovës e Serbisë nuk ka kufi, por vetëm vijë administrative dhe nuk mund të vijë deri te demarkimi i kufirit.

Më tej, Daçiq për mediet serbe shtoi se Kosova nuk po përcjellë zhvillimet politike në botë.

“Ata kanë festuar ditëlindjen e Klintonit, ndërkaq unë mendoj se vetëm le të festojnë…Por Kosova është shtet fiktiv që nuk ekziston në realitetin e politikës ndërkombëtare”, deklaroi Daçiq, transmeton RTK.

I pyetur lidhur me qëndrimin rus për demarkimin me shqiptarët, ministri Daçiq shtoi se “Serbia ka mbështetjen më të madhe nga Rusia dhe që nuk do të vrapojmë asnjë hap pa mbështetjen e këtij vendi, meqë na mbështet në secilën ide a propozim që është në interes tonin”.

Më tej, Daçiq vlerësoi se dialogu me Prishtinën zyrtare është ende në fillimet e tij dhe ende nuk ka filluar tema e demarkimit.