CSU Kërcënon Merkelin me Gjyq për Emigrantët

Unioni kristian-social në Bavari (CSU), aleat i CDU-së së kancelares Angela Merkel, i ka dërguar sot kësaj të fundit një letër në të cilën kërcënon se do t’i drejtohet gjykatës nëse qeveria nuk ndërmerr veprime për të zvogëluar fluksin e emigrantëve dhe të refugjatëve në Gjermani.

Siç raporton agjencia Reuters, Horst Seehofer, lideri i CSU-së, kërkon hapjen e qendrave të ndalimit afër kufirit austriak për të përshpejtuar dëbimin e emigrantëve që nuk i plotësojnë kriteret e të drejtës për azil.

Letra në të cilën ai kërcënon se do ta atakojë qeverinë në gjykatë i është faksuar të martën Angela Merkelit dhe kancelaria ka afat deri të premten për t’u përgjigjur, kanë njoftuar shërbimet e ministrit-kryetarit të Bavarisë, rajon përmes të cilit vijnë numri më i madh i refugjatëve.

Duke reaguar ndaj këtij ultimatumi, shefi i grupit parlamentar të Partisë soacial-demokrate (SPD), partneri i vogël i koalicionit qeveritar në pushtet, ka vlerësuar se letra ishte sinonim i “plasaritjeve brenda koalicionit”, raporton Reuters.

“Për të qeverisur, mbështetja e CSU-së nuk është e domosdoshme “, ka shtuar Thomas Oppermann, duke përkujtuar se koalicioni CDU-SPD ka një shumicë të gjerë në Bundestag.

Gjermania ka pritur 1,1 milion azilkërkues vitin e kaluar, një fluks që ka përçarë shoqërinë dhe ka rezultuar muajve të fundit me një shpeshtim të thirrjeve për ndryshim të politikës.

Sikur raporton Reuters, Horst Seehofer ka thënë të hënën se “do të shterojë të gjitha mjetet politike dhe ligjore” për ta detyruar qeverinë e Berlinit ta dëgjojë.

Angela Merkel deri më tani ka kundërshtuar idenë e caktimit të një kuote vjetore të azilkërkuesve, duke u përpjekur të bind partnerët evropianë të pranojnë më shumë në territoret e tyre, të hapin qendra të pritjes në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe ta forcojnë bashkëpunimin me Turqinë.

Sipas një hulumtimi të “INSA”, i publikuar sot nga gazeta “Bild”, partia kundër imigracionit Alternativa për Gjermaninë (AfD) përkrahet nga 13% e votuesve, që është rezultati më i mirë i regjistruar ndonjëherë, raporton Reuters.