Contour Global i dërgon në ‘ekskursion’ disa gazetarë kosovarë

Contour Global, kompania e cila do të merret me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, është përkujdesur që pak ditë para se t’ia bëjë të ditur Qeverisë së Kosovës së ka siguruar mjetet për ndërtimin e këtij termocentrali, t’i dërgojë në një vizitë në Bullgari, Austri si dhe Slloveni disa nga drejtuesit e medieve dhe përfaqësues të ministrive.

Në fotografitë e publikuara në rrjetin social “Facebook” më 14 janar, shihet se ftesës për këtë vizitë iu kanë përgjigjur tetë persona: Gamend Syla, drejtor i informacionit në televizionit Klan Kosova, Zekirja Shabani, kryeredaktor në portalin Infokusi, Faton Osmani, drejtor i agjencinë e lajmeve Ekonomia online, Dardan Belegu zëvendësdrejtor në RTV Dukagjini.

Po ashtu, në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe shefi i Kabinetit të ministrit Valdrin Lluka, Lulzim Demolli, i cili për KALLXO.com tha se kanë vizituar Slloveninë, Bullgarinë dhe Austrinë.

“Këtë vizitë nuk e kemi organizuar ne si ministri dhe asnjë vizitë tjetër gjatë këtij viti nuk është organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me gazetarë. Unë kam qenë i pranishëm dhe me ftesë të kompanisë kam qenë pjesëmarrës në ato vizita. Kemi qenë në Bullgari, pastaj kemi vizituar një termocentral në Austri, e kemi qenë edhe në Slloveni. Kjo vizitë ka zgjatur katër ditë”, tha ai.

Dardan Belegu, zëvendësdrejtor në RTV Dukagjini, tha për KALLXO.com se qëllimi i kësaj vizite ka qenë që të shohin punën e kësaj kompanie.

“Kam qenë i ftuar nga kompania, në vizitë për prezantim të komplet asaj se çka pritet të realizohet në Kosovë. Kemi qenë në Bullgari, Austri dhe Slloveni, ku kemi qëndruar për një javë”, tha ai.

Edhe Faton Osmani, drejtor i agjencinë e lajmeve Ekonomia Online, tha që ka marrë pjesë në këtë ‘ekskursion’, të cilin e ka organizuar kompania Countour Global.

“Unë nuk kam qenë fare në Bullgari. I jam bashkuar ekipit në Vjenë, kemi vizituar zyrat e Countour Global, ku na kanë shpjeguar për projektin se ku është dhe në çfarë faze është. Në Slloveni kemi vizituar një termocentral të ngjashëm me këtë që do të ndërtohet në Kosovë. Kemi qenë përafërsisht 7 ose 8 persona, kryesisht kanë qenë drejtorë dhe zëvendësdrejtorë”, tha ai.

Tutje Osmani tha se pavarësisht se vizita ka qenë e organizuar nga kjo kompani, një gjë e tillë nuk do të ndikojë në raportimin dhe punën e agjencisë Ekonomia Online.

“Unë vetëm kam marrë informacione sesi funksionon ky projekt. Nuk ka ndryshuar as qasja e mediumit të cilin e udhëheq, ka qenë vizitë me e pa në vend të ngjarjes sesi funksionon kompania që në Kosovë do të investojë 1 miliard euro”, tha ai.

E kjo vizitë nuk i ‘iku’ as Liridon Mavriqit përfaqësuesit të Contour Global i cili para se të emërohet në këtë pozitë për dy vite ka qenë menaxher i projektit ‘Kosova e Re’, ndërsa në prill të vitit 2018 ka filluar punën në kompaninë ‘Contour Global’.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka tentuar që të marrë përgjigje nga Zekirja Shabani si dhe Gazmend Syla, mirëpo të njëjtit nuk kanë shprehur gatishmëri për të dhënë informacione për këtë vizitë.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe Guri Shkodrën, i angazhuar nga  Contour Global për të komunikuar me publikun, për të marrë informacione për qëllimin e kësaj vizite mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, në dijeni për këtë vizitë nuk ka qenë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Kështu ka thënë për KALLXO.com kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina.

“Ne si AGK nuk kemi asnjë informacion rreth udhëtimit të gazetarëve në fjalë. Nuk jemi në dijeni as për cilët gazetarë behët fjalë”, tha ajo.

Tutje ajo tha se ndikimi i vizitave të punët e vetë gazetarëve është diçka që u takon redaksive dhe AGK nuk mund të jap qëndrime.

“Mendoj se AGK nuk mund të japë një vlerësim të tillë dhe se udhëtimet e gazetarëve, ndikimet ose jo në pavarësinë e punës së tyre, do të duhej të vlerësohen nga vetë redaksitë ku ata janë të angazhuar. Pra, konsideroj që kjo është çështje e brendshme e funksionimit dhe vlerësimit të redaksive” tha ajo.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliard euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane Countur Global për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në qershor të vitit 2018, kompania amerikane Contour Global ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Katër konsorciume kishin hyrë në garë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ofertuesit e para-kualifikuar për inxhinierim, projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje për projektin e termocentralit “Kosova e Re” janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Poëer Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Pas shpalljes së procesit të ‘Përzgjedhjes Fillestare’ në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga Contour Global. Rezultatet dhe vendimin e Contour Global e ka njohur Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur në janar 2019 ka qenë i pranishëm edhe Bernhard Haider, menaxheri i projektit të TC ‘Kosova e Re’ nga Contour Global, i cili tha se në muajin shkurt do të bëhet përzgjedhja e konsorciumit i cili do të ndërtojë TC ‘Kosova e Re’.

Nga katër konsorciumet që kishin hyrë në garë për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’, konsorciumi korean ‘Hyundai” nuk e ka dërguar propozimin deri në fund të muajit nëntor siç ishte kërkuar.

Përfaqësuesi i Contour Global tha se janë gati që të fillojnë në mars me përgatitjet për ndërtimin e termocentralit, ku fillimisht do të bëhet pastrimi i ambientit.