Kthehet në punë blloku B2 i termocentralit “Kosova B”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është kthyer në punë blloku B2 i termocentralit “Kosova B”.

Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se nga kthimi në punë i këtij blloku Kosova për çdo orë do t’i paguajë rreth 50 mijë euro import rryme më pak.

“Sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MË”, ka thënë Kurti.

Tutje i pari i Qeverisë ka thënë se ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve.

I njëjti në fund të postimit të tij pati edhe një dëshirë.

“Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila”, u shpreh ai.

Për riparimin e këtij blloku, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte nënshkruar një kontratë në vlerë 248 mijë e 650 euro.

Kjo njësi ka qenë jashtë funksionit që nga 14 dhjetori i vitit 2021.

Mirëpo, ka më shumë se një muaj që Kosova është në krizë energjetike, kjo si pasojë e daljes nga sistemi të bllokut B2 dhe rritjes së konsumit të energjisë.

Këto probleme kanë bërë që Kosova të përballet me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, kishte paralajmëruar se rregullimi i këtij blloku nuk do të bëhej para 20 janarit 2022.

Ndërsa, i pari i Qeverisë, Albin Kurti gjatë seancës plenare të mbajtur më 20 janar të këtij viti kishte prezantuar një llogaritje se sa po harxhon Kosova brenda ditës për import të rrymës në mënyrë që situata të jetë stabile dhe e qëndrueshme.

Ai kishte thënë se vetëm më 19 janar Kosova kishte paguar dy milionë e gjysmë euro për import të rrymës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet. Ky propozim për rritje të çmimit të rrymës gjatë dimrit do të prekë afër 200 mijë familje.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit.

Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.