Mustafa: Nuk e përkrahim termocentralin e ri në këto kushte

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është zotuar se nëse vijnë në pushtet do të synojnë që të drejtojnë prodhimin e energjisë elektrike me burime alternative.

Mustafa në një intervistë në “Jeta në Kosovë”, tregoi se nuk e përkrah ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr sipas kushteve të tanishme.

“Ne nuk mund të pajtohemi tani që termocentrali të ndërtohet me kushte të njëjta, për të cilat përpara pati garantu Banka Botërore meqënese janë tërhequr askush nuk mund të thotë se mund të japim garancion nga buxheti për kreditë”, tha Mustafa.

I pari i LDK-së tha se në kohën sa ishte në qeverisje e kishte përkrahur termocentralin meqë atë e përkrahte financiarisht Banka Botërore.

Ai megjithatë bëri të ditur se është i vendosur që t’i largohen qymyrit në prodhimin e energjisë elektrike.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm është që domosdoshmërsiht duhet ta zgjidhim problemin e energjisë. Për mu zgjidja ma e mirë kishte me qenë sa ma pak thëngjill të djegim dhe sa ma pak dioksid karboni në ajër. Duhet të gjejmë mënyrën se si edhe thëngjilli mund të përdoret por jo në këtë formë të vrazhdë. Ne tmerrohemi kur e shohim tymin që del sot”, tha Mustafa.

Qeveria në largim me në krye Ramush Haradinajn nënshkroi kontratën me kompaninë “Countour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

Marrëveshja për ndërtimin e këtij termocentrali u quajt ekonomikisht e pafavorshme nga Banka Botërore e cila edhe u tërhoq nga investimi.

Përballë Jeta Xharrës, Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosjëe për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: