Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë. Foto: Reuters/REL

Çavusoglu: Marrëdhëniet Turqi-ShBA Kanë Arritur Pikën Kritike

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi sot se marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në prag të shembjes së plotë, për shkak të mbështetjes së Uashingtonit për kryengritësit kurdë në Siri.

“Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Amerikës kanë arritur pikën kritike. Ose do t’i përmirësojmë ose do t’i shkatërrojmë në tërësi”, tha Çavusoglu para gazetarëve, në margjina të konferencës së dytë Turko-Afrikane në Stamboll.

Ai tha se Ankaraja pret hapa konkretë nga Uashingtoni për rikthimin e besimit, i cili sipas tij është humbur me fajin e amerikanëve.

Është paraparë që sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, të vizitojë Ankaranë kah fundi i javës.

Ndërkohë, ushtria turke ka njoftuar se në kuadër të operacionit ushtarak “Dega e ullirit”, në rajonin e Afrinit në veri të Sirisë, deri me tani ka neutralizuar 1400 kryengritës kurdë.

“Më 12 shkurt 2018, edhe 103 terroristë tjerë janë vrarë gjatë operacionit “Dega e ullirit”, në Afrin”, u theksua në komunikatën e Shtatmadhorisë së ushtrisë turke.

Siç dihet, forcat e armatosura të Turqisë filluan më 20 janar ofensivën ushtarake kundër kryengritësve kurdë në Afrin.

Forcat kurde në këtë rajon në veri të Sirisë mbështetën nga Uashingtoni, pasi që kanë bartur deri me tani luftën kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik.

Megjithatë, Ankaraja i konsideron si njësi terroriste grupet e armatosura kurde, të cilat veprojnë në Afrin. /21Media