Kurti pas takimit me ministrin turk: Turqia është partner, mik dhe aleat i madh i Kosovës

Kryeministri i së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Republika e Turqisë është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ministri Çavuşoğlu theksoi mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Turqia e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin  dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta.

Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.

Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit. Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.

Gjithashtu bëhet e ditur se është diskutuar për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje.

Çavuşoğlu është takur sot edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.

Osmani takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë, flasin për zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë