Vjosa Osmani dhe Mevlüt Çavuşoğlu

Osmani takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë, flasin për zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin zhvilluan një bisedë dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.

Me ministrin Çavuşoğlu, sipas Zyrës së Presidencës,Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani dhe ministri Çavuşoğlu, disutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç`rast, Osmani ka thënë se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, citohet të ketë thënë në takim Osmani.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas Osmanit, kanë potencial të thellohen edhe mëtej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi.

 

 

Vjosa Osmani dhe Mevlüt Çavuşoğlu

Cavusoglu është pritur në Prishtinë nga homologia e tij, Donika Gërvalla dhe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sot, Kosova dhe Turqia nënshkruan paraprakisht marrëveshje në fushën e aviacionit.

Ministri nënshkrues i kësaj marrëveshje, Liburn Aliu tha se përmes saj është rritur numri i fluturimeve nga 28 fluturime në javë, në 42 sosh.

Ministrin e Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka arritur në Kosovë të shtunën, ku bashkë me homologen e tij, Donika Gërvalla dhe ministra tjerë te Qeverisë së Kosovës kanë darkuar bashkë.