FOTO: VOA

Refugjatët sirianë përballë dilemës për të qëndruar në Turqi, apo për t’u kthyer në Siri

Turqia është strehë e miliona refugjatëve sirianë. Ndërsa atë vend e ka përfshirë inflacioni i thellë dhe një krizës ekonomike, retorika politike është kthyer kundër tyre, ndërsa ka raporte të shumta për sulme fizike dhe verbale. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Turqia dëshiron të kthejë më shumë refugjatë në Siri, një vend ende i shkatërruar nga lufta civile.

Refugjati sirian Muhammed Sheikh u largua nga Aleppo me gruan dhe dy fëmijët e tij në vitin 2016. Ata u vendosën në Stamboll ku patën edhe dy fëmijë të tjerë. Kriza aktuale ekonomike nënkupton se jeta po bëhet më e ashpër dhe atyre u duhet të marrin vendime të vështira.

“Do të shkoj në Siri nëse është e nevojshme, por atje nuk ka punë dhe kushtet e jetesës janë shumë të vështira. Do të përpiqem të shkoj në një vend tjetër, nëse mundem. Qiradhënësi na trajton mirë, por në janar qeraja do të shkojë në 490 dollarë dhe do të jetë shumë e vështirë për ne”, thotë për Zërin e Amerikës refugjati sirian Muhammed Sheikh.

Në muajin tetor inflacioni në Turqi arriti në 85% dhe 3.6 milionë refugjatët sirianë janë ndër më të rrezikuarit. Kriza ekonomike i ka kthyer edhe disa turq kundër refugjatëve.

“Në punë, kolegët e mi turq thonë pse erdhët këtu? Për shkakun tuaj, qiratë u rritën, çmimet e ushqimeve u rritën dhe jetesa u bë e vështirë. Shumë sirianë po përballen me këto”.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 153,000 refugjatë janë kthyer në Siri nga Turqia. Qeveria turke pretendon se numri është rreth 500 mijë.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u zotua në muajin maj që të kthejë 1 milion refugjatë. Ai përballet me një garë të vështirë për rizgjedhje në qershor të vitit të ardhshëm, në kushtet e krizës ekonomike.

“Kryesisht vitin e fundit, partitë politike filluan të kritikojnë shumë ashpër refugjatët sirianë . Madje u zotuan t’i kthenin mbrapsht nëse merrnin pushtetin. Por shumica e sirianëve punojnë, pavarësisht rrogës së vogël, që të qëndrojnë këtu dhe të sigurojnë jetesën. Megjithatë ka sirianë që po kthehen për shkak të presionit e sulmeve fizike dhe verbale ndaj tyre”, thotë për Zërin e Amerikës Osman Atalay me Fondacionin e Ndihmave Humanitare IHH.

Në vitin 2019 siriani Husein Kablawi u vendos në Stamboll me gruan dhe pesë fëmijët e tij. Këtë vit qeveria i pezulloi regjistrimet e refugjatëve në 16 provinca, përfshirë Stambollin.

“Meqenëse nuk jemi të regjistruar, nuk mund të marrim apartament me qera dhe nuk mund të gjejmë një punë të mirëfilltë. Po për këtë arsye, nuk më pranohen dokumentet dhe fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë”, thotë refugjati sirian.

Fëmijët e tij kanë frikë të dalin në rrugë. Familja druhet se mund t’i kthejnë në Siri nëse policia i zbulon se nuk janë të regjistruar.

Ashtu si miliona sirianë, kjo familje përballet me vendime të vështira, të qëndrojnë në Turqi ku jeta po bëhet më e ashpër dhe shoqëria gjithnjë e më armiqësore, apo të kthehen në Siri, një vend ende i shkatërruar nga lufta. Tjetër alternativë është edhe përpjekja për të shkuar në Evropë, udhëtim me rreziqe të shumta dhe një të ardhme të panjohur./VOA