Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Qeveria e Kosovës

Bisedime në Bruksel për Kodin dhe Tabelat

Sot e nesër në Bruksel do të vazhdojë dialogu mes Kosovës e Serbisë, ndërsa pritet të flitet për kodin telefonik të Kosovës dhe lëvizjen e lirë.

“Ministria për Dialog, njofton se nesër dhe pasnesër në Bruksel do të vazhdojnë takimet e nivelit teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në agjendë të këtyre takimeve do të jenë çështja e lëvizjes së lirë dhe ajo për kodin shtetëror telefonik të Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në fillim të këtij viti pasi Kosova nuk është pjesë e Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik kosovar aplikoi Austria, ndërsa Kosova pritej të bëhej me kodin +383 në muajin mars.

Autoritetet kosovare akuzojnë serbinë se po pengon Kosovën të pajiset me këtë kod, ndërsa thonë se vetëm pasi të zhbllokohen marrëveshjet e nënshkruar në kryeqytetin evropian, do të nisë puna për statutin e Asociaciacionit të Komunave Serbe në bazë të marrëveshjes së 25 korrikut 2015.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, ministrja Tahiri ka thënë që “takimi i grupit punues për lëvizjen e lirë do të fokusohet në heqjen e tabelave të mbetura ilegale që qarkullojnë aty-këtu në komunat veriore të Kosovës”.

Marrëveshja për reciprocitetin e tabelave të veturave u arrit javën e kaluar.