BE synon t'i ndihmojë institucionet e Kosovës në përmirësimin e konkurrencës në treg

Me temën “Konkurrenca është e mirë, e rregulluar është edhe më e mirë”, në Prishtinë është mbajtur konferenca ku është diskutuar për politikat e konkurrencës në tregun kosovar të biznesit.

Me panelistë nga fusha të ndryshme që lidhen me konkurrencën, në këtë konferencë u diskutua për sfidat dhe mundësitë për bizneset që konkurrojnë në tregun kosovar.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se gjatë periudhës së fundit Kosova ka shënuar progres në fushën e konkurrencës së tregut. Sipas tij, BE-ja ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e legjislacionit të Kosovës.

“Tani Kosova e ka legjislacionin primar dhe është në përfundim të legjislacionit sekondar, ku e kemi mbështetjen e BE-së. Do të sigurojë një transparencë më të plotë për tarifat e qeverisë në fushën e biznesit. Ne do të jemi të hapur dhe transparent. Shumica e legjislacionit është në përputhje me direktivat e BE-së, por që ka nevojë për përmirësime”, ka thënë ministri Hamza.

Robert Erzin, Drejtor Ekzekutiv i IPKO Telecom, ka thënë se në fillim Kosova si shtet i ri ka pasur mungesë të legjislacionit për konkurrencën, ndërsa ka kritikuar institucionet, duke thënë se ka pasur procese që nuk kanë qenë transparente.

“Për investitor të huaj është shume e rëndësishme të ketë transparencë dhe parashikueshmëri të tregut. Kosova si shtet i ri ka pasur mungesë të legjislacionit. Po shohim përparim të lehtë, pjesë të cilës kemi qenë edhe ne. Kontrata e Z mobile dhe PTK, po e dëmton edhe tregun. Ndërsa qeveria po e mbron PTK-në. Edhe komunat po i ndërpresin kontratat dhe po nënshkruajnë me Vala dhe proceset nuk  kanë qene  transparente”, ka deklaruar Erzin.

Në anën tjetër, Arbër Kadriu, zyrtar ligjor në BIRN Kosova, ka folur për vështirësinë e dhënies informata në lidhje me konkurrencën, pasi tema të tilla nuk janë edhe aq me interes për publikun.

“Është shumë e vështirë me dhënë informata në lidhje me konkurrencën, sepse nuk janë tema që qytetarët zgjohen në mëngjes dhe dojnë me lexu. Është e vështirë sepse vijmë prej një ekonomie socialiste, të vet rregulluar. Janë një numër i gjyqtarëve që vijnë prej gjeneratës që nuk i kanë trajtuar lëndët e konkurrencës. Jemi mundu me i evidentu disa shkelje në fushën e konkurrencës. Ne e kemi ngrit zërin dhe i kemi prezantu publikut hulumtime në  sektorin e homologimit, i cili është i monopolizuar nga vetë institucionet”, ka thënë Kadriu.

Kjo konferencë u organizua nga Bashkimi Evropian, ndërsa pjesëmarrës ishin dhe përfaqësues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, të Komisionit Kosovar të Konkurrencës, të Odës Ekonomike si dhe organizatave joqeveritare si GLPS dhe Konsumatori.