Mbyllet afati i konkurrimit për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës

Është mbyllur sot afati për konkursin për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës, i hapur tetë ditë më parë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Deri më tani sipas burimeve të KALLXO.com kanë konkurruar së paku tre kandidatë.

Më 30 maj 2019, MKRS ka hapur konkurs të brendshëm për zgjedhjen e drejtori të BKK-së, me afat deri më 6 qershor 2019.

Por, konkursi për drejtor të BKK-së është hapur vetëm për kandidatë nga Ministria e Kulturës dhe institucionet vartëse të saja.

Ndërkaq, sipas kritereve për konkurrim, përveç shkollimit profesional në fushën e baletit ose të diplomuar në fusha të ngjashme të artit dhe kulturës, dhe kritereve e tjera, kandidatët pretendentë për këtë post duhet të kenë minimum 7 vjet përvojë punë profesionale dhe 4 vite përvojë punë në vende udhëheqëse.

Drejtori i BKK-së zgjidhet për një mandat 3 vjeçar me të dejtë të rizgjedhjes.

Zyrtarë të MKRS nuk kanë dashur për flasin për konkursin, për arsyet pse ai është vetëm i brendshëm, me arsyetimin se konkursi është mbyllur sot dhe se janë në rregull në aspektin ligjor.

Në anën tjetër, koreografë dhe njohës të fushës së koreografisë dhe baletit kritikojnë Ministrinë, pasi sipas tyre me këtë veprim ajo ka pamundësuar konkurrencën e lirë.

Koreografi Dilaver Kryeziu, njohës i fushës së baletit, ka pohuar për KALLXO.com se MKRS ka bërë gabim që ka hapur konkurs të brendshëm për pozitën e drejtori të BKK-së, meqë, sipas tij, është dashur t’u jepet mundësia gjithë atyre që kanë interes për këtë fushë.

“Edhe ashtu ka vite të tëra që nuk ka pasur konkurs për drejtor të baletit. Mendoj se MKRS është dashur të ketë konkurs të rregull që t’u mundësojë edhe kandidatëve tjerë jashtë Ministrisë për konkurrim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Robert Nuha, koreograf, ka pohuar për KALLXO.com se hapja e konkursit për drejtor të BKK-së, edhe pse me shumë vonesë, është i mirëpritur si hap i domosdoshëm institucional.

Mirëpo, ka thënë ai, çështja e konkurrencës që i atribuohet vetëm punëtorëve të brendshëm të institucioneve vartëse të MKRS-së, është fyes për të gjithë ata që kanë dhe vazhdojnë të investojnë në ngritje të nivelit profesional individual dhe të cilët kanë qëllim që të japin nga vetja më të mirën e tyre.

“Ata të cilët shpresojnë dhe kanë investuar për t’u punësuar në shtetin e Kosovës, qofsha i gabuar, por më duket sikur po përgatisin rrugën për një prurje e cila nuk prish raportet brenda institucionit dhe e cila përjashton çdo përpjekje të atyre që ndoshta edhe meritojnë dhe janë më të aftë për këtë pozicion! E shoh si diskriminuese dhe totalisht të papranueshëm. Uroj që MKRS të rishikojë këtë veprim ose nëse në planet e saj është një konkurs tjetër që përfshinë të jashtmit, edhe pse me duket prapë pak absurd, e mirëpresim!”, ka thënë ai.

Baleti Kosovës i Kosovës që nga dhjetori i vitit të kaluar ka mbetur pa drejtor, pas pensionimit të ish-drejtorit Ahmet Brahimaj.

Në shkurt të këtij viti, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKK-së është emëruar Sinan Kjatazi, i cili deri në janar, po të këtij viti mbante pozitën e kryetarit të Këshillit Drejtues të BKK-së.

Ai është akuzuar për konflikt interesi për shkak se sa mbante postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të  BKK-së, ishte miratuar realizimi i projektit “O.Taka”, me koreografi dhe libreti të Kajtazit, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Trupës së Ansamblit të BKK-së.

KALLXO.com ka raportuar për rastin e sipërpërmendur dhe kërkesën  e MKRS drejtuar Kajtazit, se ai duhet t’ i kthejë paratë që janë paguar për shfaqjen “O.Taka”, pasi siç thuhej në kërkesën e MKRS-së, bazuar në opinionin e Departamentit ligjor, Kajtazi duhet t’i kthejë mjetet të cilat i ka pranuar për shfaqjen.

“Sepse sipas Rregullores nga e cila ju jeni paguar, e njëjta është shfuqizuar me Rregulloren e Qeverisë Nr. 15/2018. Ju lusim që brenda një afati të shkurtër t’i ktheni mjetet në mënyrë që ne si Ministri të jemi në respektim të plotë të akteve ligjore”, thuhej ndër të tjera në kërkesën e MKRS-së.

‘O. Taka’ e Sinan Kajtazit përfundon në Komisionin e MKRS-së për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

 

Dyshimet për konflikt interesi, MKRS i kërkon Sinan Kajtazit t’i kthej paratë që i mori për shfaqjen ‘O. Taka’