Aziz Salihu: Gati Pësova Infarkt!

Legjenda kosovare e boksit, Aziz Salihu, është i lumtur që Kosova çau murin izolues në futboll.

Në ditën kur UEFA e pranoi Kosovën, bartësi i medaljes olimpike në boks tha për KALLXO.com se ky është një sukses historik i Kosovës.

“Për pak kesh t’u marrë infarkt. Me të vërtetë është kënaqësi e madhe që p’i shohin edhe Qeveria se çka do të thotë sporti”, tha Aziz Salihu.

Ai shtoi se sporti është ambasadori më i mirë për Kosovën.

“Sporti është një ambasador. Kjo ka qenë një gjë që me të vërtetë është kënaqësi, dhe nuk zë besë se një shqiptarë sot është mërzitur. Kënaqësia më e madhe e jemja është bërë kjo që u pranu Federata e Futbollit, se futbolli është emër botëror”, shtoi Salihu.

Ish- boksieri shtoi se politika qeverisëse në Kosovë nuk ekziston por sporti dëshmoi se ekziston dhe sportistët e kanë dëshmuar dhe kanë arritur qëllimin dhe kanë fituar atë që Kosova e meriton.

Salihu shtoi se sporti kosovar do t’i bëjë të gjitha vendet që ta pranojnë Kosovën si shtet.

Aziz Salihu ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Verore më 1984 në Los Angeles. Në atë kohë ai ka mbrojtur ngjyrat e Jugosllavisë.