Avokati i Popullit

Avokati i Popullit Kritikon Zvarritjen e Ankesës së Punëtorit nga Gjykata

Kanë kaluar 14 vjet dhe Rrustem Berisha, ish punëtor i KosovaTrans-it nuk e ka kuptuar vendimin e gjyqësorit mbi padinë që e ka ushtruar ndaj institucionit ku ka punuar.

Rrustem Berisha në vitin 2003 kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Mitrovicë lidhur me kompensimin e të ardhurave personale nga marrëdhënia e punës.

Një vit më vonë, Gjykata kishte marrë vendim që paditësit t’i aprovohet kërkesa dhe kishte obliguar të paditurin, në këtë rast K.T.U Kosovatrans në Mitrovicë që t’ia bëjë kompensimin e të ardhurave personale për periudhën 1 shtator 1999 deri më 2 tetor 2002.

Me vendim të gjykatës, KTU Kosovatrans obligohej që 85 euro për muaj, për 37 muaj, që arrinin vlerën prej 3 mijë e 145 euro t’ia paguante Rrustem berishës bashkë me shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 202.80 euro.

Mirëpo kjo e fundit ishte ankuar ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Qarkut, e cila e kishte rikthyer rastin në rigjykim.

Në vitin 2014, paditësi Rrustem Berisha i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë duke kërkuar shpejtim të procedurës.

Gjykata iu kishte përgjigjur duke thënë se gjyqtari e ka marrë lëndën para më shumë se 1 viti, duke ia përmendur edhe faktin që Gjykata punon në kushte të vështira, pasi që 4 gjyqtarë punojnë në një zyre. Në përgjigjet e Gjykatës thuhet se pasi të plotësohen kushtet, lënda do të merret në shqyrtim.

Në lidhje me këtë, institucioni i Avokatit të Popullit në shkurt të 2015 hap rasti në bazë të deklaratave të paraqitura nga Rrustem Berisha.  Avokati i Popullit kishte kërkuar informacione mbi rastin nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe kjo e fundit iu ishte përgjigjur njëjtë si paditësit, se janë duke punuar në kushte të jashtëzakonshme.

Megjithatë seanca gjyqësore ishte caktuar. Mirëpo gjatë vitit 2015, 2016 dhe 2017 janë mbajtur 6 shqyrtime gjyqësore  dhe ende procedura gjyqësore s’kishte përfunduar, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Kjo e fundit duke u thirrur në ligje i ka shkruar Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Avokatit i Popullit ia ka përkujtuar Gjykatës se kjo e fundit ka për detyrë që ta zbatojë procedurën gjyqësore pa ndonjë zvarrjte të paarsyeshme.

Në konstatimet e zyrës së Avokatit të Popullit thuhet se zvarritjet e procedurës gjyqësore shkaktojnë pasoja serioze në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Zvarritja për më shumë se 14 vite e rastit të ankuesit nga ana e gjykatave ende pa vendim përfundimtar, sipas Avokatit të Popullit, shkel të drejtën për gjykim të drejtë, proces të rregullt brenda një afati të arsyeshëm kohor të përcaktuar dhe të mbrojtur nga Kushtetuta e Kosovës.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo zvarritje përbën shkelje të së drejtës për mjete efektive juridike dhe të së drejtës për mbrojtje gjyqësore .

Institucioni i Avokatit të Popullit ia ka tërhequr vëmendjen Gjykatës Themelore në Mitrovicë duke i rekomanduar që të ndërmarrë veprime për shqyrtimin dhe vendosjen efikase të lëndëve gjyqësore në afate të arsyeshme kohore, pasi që ky rast daton që nga 3 marsi i vitit 2003.

Në letrën e dërguar Gjykatës Themelore, Institucioni i Avokatit të Popullit ia rikujton që në pajtim me Kushtetutën, që çdo organ që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës është i detyruar tu përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit.