Arrestohen dy zyrtarë policor, IPK rekomandon suspendimin e tyre

Inspektorati Policor i Kosovë ka njoftuar se ka arrestuar katër persona, në mesin e tyre dy zyrtarë policor në Prizren nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”, kështu duke rekomanduar suspendimin e tyre.

Si rezultat i hetimit disa mujor, lPK bënë të ditur se ka arrestuar edhe dy qytetarë si të dyshuar për veprat penale, “Detyrim”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Mashtrim”.

“Muaj më herët hetuesit e IPK-së, kishin filluar një hetim në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren me dyshimin se dy zyrtarë policorë ishin të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme. Në kuadër të këtij hetimi, zyrtarët e IPK-së të asistuar edhe nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit, në një objekt banimi në Prizren urdhrin për kontroll të autorizuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ku janë konfiskuar disa dokumente dhe gjëra të tjera lidhur me hetimin e kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ndërkaq, katër të dyshuarve me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.