Foto: Ilustrim

Arrestohen dy të mitur për disa raste të vjedhjeve në Prizren

Nën dyshimin për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda janë arrestuar dy persona të mitur në rajonin e Prizrenit.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së sotme, Policia në Prizren ka pranuar informatë për një rast të kryerjes së veprës penale vjedhje e rëndë, që ka ndodhur dje në Prizren.

Policia ka njoftuar se pas një pune hetimore të njësiteve relevante policore, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar E. K dhe F.Th.

“Personat e dyshuar, tashmë të arrestuar, dyshohet të jenë përfshirë në disa raste të këtyre veprave penale vjedhje dhe vjedhje të rënda, ku njësitë e hetimeve pas një pune intensive kanë arritur që të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tutje ka njoftuar se të miturit janë të njohur për organet e rendit si recidivistë të këtyre veprave.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë.