Apeli: Vazhdoni me Gjyqin ndaj Hasanit

Sipas një njoftimi të kësaj gjykate, një kolegj i përbërë nga tre gjykatës  ka konstatuar se në fazën në të cilën ndodhet procedura, kërkesa për hetim të veçantë dhe vlerësim të imunitetit nuk mund të vlerësohet për shkak se ndaj Hasanit tashmë prokuroria ka ngritur aktakuzë.

Në dhjetor të 2015-ës Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që të refuzonte kërkesën për hetim të veçantë ndaj Hasanit. Megjithë refuzimin, prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Hasanit duke sqaruar se vendimi i gjykatës kishte arritur në prokurori pas ngritjes së aktakuzës.

Sipas njoftimit të Apelit, Prokuroria Speciale kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të gjykatës së Prishtinës i cili sipas qëndrimit të Gjykatës së Apelit nuk është më i vlefshëm për shkak se aktakuza është ngritur.

Hasani akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për dy vepra penale-keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit.

Sipas aktakuzës, Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Për aktakuzën ndaj Hasanit u bë debat në janar të këtij viti në Emisionin “Jeta në Kosovë”.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-per-aktakuzen-ndaj-enver-hasanit/