Njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Aulon Zekës - Foto: KALLXO.com

Apeli kthen në rigjykim gjykimin e vrasjes së Aulon Zekës

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës në Prishtinë, me të cilin tre të mitur ishin dënuar në rastin e vrasjes së të miturit Aulon Zeka.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vepruar sipas ankesave, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 16.04.2018, në rastin e të miturve G.H., R.G., dhe L.Ll. Çështja i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas njoftimit të Apelit, vendimi i Gjykatës së Prishtinës përmban shkelje esenciale të Kodit të Procedurës Penale.

“Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës se Apelit, pasi vlerësoi pretendimet në ankesat e ushtruar por e dhe sipas detyrës zyrtare, gjeti se aktgjykimi i gjykatës se instancës më te ulet duhet të anulohet pasi që i njëjti përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara ne nenin 384 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet tutje në njoftim.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë tre të miturit për vrasjen e të riut Aulon Zeka.

I mituri i parë është dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, e mitura e dytë me 3 vjet masë edukative ndërsa ndaj të tretit është shqiptuar masa e mbikëqyrjes nga organet e kujdestarisë për 1 vjet e gjashtë muaj.

I mituri i parë është dënuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes, e mitura e dytë është dënuar për ndihmë kryerësit pas kryerjes së veprës penale dhe i mituri i tretë moslajmërim të veprës penale.

https://kallxo.com/gjykata-shpalli-denimet-per-vrasjen-e-aulon-zekes/