Anëtari i Ekipit Negociator flet pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Dialogun nga LDK e LVV

Njëri nga anëtarët e Ekipit Negociator për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Dukagjin Gorani ka thënë për KALLXO.com se edhe Ekipi Negociator është i interesuar për vendimin që do ta merr Kushtetuesja. Kjo deklaratë e Goranit vije pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit për Dialogun nga Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Gorani, që është deputet edhe PSD-së në Kuvendin e Kosovës, tutje tha se nuk ka hartime të përkryera të ligjeve dhe mund të ketë ndonjë lëshim.

“Edhe neve na intereson me ditë vendimin që ka me marr Kushtetuesja. Megjithatë, nuk ka hartime të përkryera kështu që ndoshta ka edhe ndonjë lëshim, ta presim Kushtetuesen”, tha deputeti Gorani për KALLXO.com.

I pyetur për mundësitë që Ligji për Dialogun mund të ketë shkelur disa nene të Kushtetutës, ai tha se nuk mund të komentoj këto çështje.

“Nuk është e jona të japim ndonjë opinion në atë punë, është Gjykata Kushtetuese edhe ne jemi palë e interesuar me pa çfarë vendimi po e sjell”, tha ai.

Gorani më tej tha se, vendimi nga Gjykata Kushtetuese mund të përcaktoj edhe atë nëse do të ketë vonesa dhe zvarritje të dialogut.

“Kjo varët prej vendimit të Gjykatës, besoj që duhet me pas durimin me pa edhe me respektu atë vendim”, u shpreh Gorani.

Sot gjatë ditës deputetët e opozitës, Driton Selmanaj dhe Albulena Haxhiu dërguan në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dialogun.

 

LDK dhe LVV, kërkojnë masën e përkohshme për Ligjin e Dialogut nga Gjykata Kushtetuese

.