Alternativa merr një Drejtori në Prishtinë

Pas vendimit të kryetarit të komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti,  Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies  është ndarë në dysh: drejtoria për shëndetësi dhe drejtoria e mirëqenies sociale.

Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në komunën e Prishtinës do ta marr në udhëheqje partia Alternativa që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila.

Në një postim në facebook, partia Alternativa ka njoftuar se sot është bërë zyrtarizimi i bashkëqeverisjes komunale në Prishtinë mes kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit dhe kryetares së partisë Alternativa Mimoza Kusari- Lila.

“Alternativa u bë pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, me një ulëse, rrjedhimisht mbi bazën e parimeve të udhëheqjes komunale, Alternativa ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit, të cilën e zyrtarizuan sot” thuhet në njoftimin e partisë.

“Alternativa është e vetëdijshme se e pret një pune dhe angazhim i jashtëzakonshëm, por, gjithsesi, mbetet e përkushtuar që nga dita e parë e mandatit të punës qeverisëse në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale ta shtyej përpara të gjitha projektet dhe planet në dobi të kryeqytetasve.”, thuhet tutje në njoftim.

Që një drejtori në komunën e Prishtinës të udhëheqet nga partia Alternativa ishte paraparë në ofertën finale që Shpend Ahmeti i ka bërë ish-subjektit të tij politik Lëvizjes Vetëvendoje për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje, Ahmeti kishte akuzuar Vetëvendosjen që është bashkuar me PDK-në e LDK-në për të mundësuar mosfunksionimin e Kuvendit Komunal në Prishtinë.

KALLXO.com ka kontaktuar me asambleistin e Lëvizjes Vetëvendosje Egzon Azemi për të ditur nëse VV ka pranuar ofertën e Shpend Ahmetit për bashkëqeversije në komunën e Prishtinës.

“ Nuk është pranuar asnjë marrëveshje, por edhe nëse arrihet së pari duhet të aprovohet nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje,  pastaj në Këshillin e Qendrës së Prishtinës, por njëherë për njëherë nuk ka asgjë” tha Azemi për KALLXO.com