Aktakuzë Ndaj 14 Personave për Krim të Organizuar dhe Fajde

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për krim të organizuar për rastin “Kristal” kundër 14 të pandehurve për disa vepra penale.

Të pandehurit T.K., K. K., Gj. K., M. K., B. B., Gj. K. dhe G. K., akuzohen për veprat penale të krimit të organizuar  dhe fajdeve.

Të pandehurit gjithashtu akuzohen se kanë kryer veprën penale të shpëlarjes së parave  dhe të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

TK. dhe Gj. K., akuzohen edhe për veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Rasti ka të bëjë me një operacion kontrolli e arrestimesh të ndërmarrë në maj të vitit të kaluar nga Policia e Kosovës ku në shënjestër ishte familja Kqira nga Prizreni, e dyshuar për aktivitet të fajdeve.

http://kallxo.com/aksioni-policor-ne-familjen-e-dyshuar-per-fajde-video/

Prokuroria thotë se të dyshuarit tjerë janë sekondarë.

Ata dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal dhe me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, vazhdimisht kanë kryer vepra të rënda penale.

Sipas prokurorisë, i dyshuari T.K. ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal, i cili ka vepruar duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtarëve të ndryshëm duke e kontraktuar me të njëjtit huazimin e shumave të ndryshme financiare dhe pastaj, si grup, duke përdorur kërcënimet e rënda.

http://kallxo.com/operacioni-kristal-arrestohen-shtate-persona/

Me këtë rast, sipas prokurorisë, të dëmtuarit janë detyruar që të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale, në formë të pasurisë materiale, ose shuma të shumëfishta të të hollave në këmbim me shumën e huazuar.

“Gjate fazës së hetimeve nga të pandehurit  janë konfiskuar pronat e paluajtshme në vlerë shumë të madhe, si rezultat i kryerjes së veprave penale”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria thotë se aktakuza është ngritur nga prokuror vendorë i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndërsa rasti është “i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

http://kallxo.com/kristal-kunder-krimit-te-organizuar/