Foto: Facebook/Meka Halal Food

Agjencia e Ushqimit i konteston dokumentet spanjolle për produktet shtazore

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ia ka bllokuar kompanisë “Meka” një produkt që shërben si lëndë e parë për prodhimet e kësaj kompanie.

Bllokada e këtij produkti– shijues me ekstrakte pule– është bërë nga zyrtari në detyrë i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) me datën 10 janar 2019.

Zyrtari i AUV kishte refuzuar të pranonte certifikatën spanjolle veterinare të kompanisë “Meka”, për mallin i cili është i ngjashëm me mëlmesat që përdoren në kuzhinë, duke kërkuar që të ofrohet certifikatë e harmonizuar.

Drejtori i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se Kosova e ka për obligim t’i njohë dokumentet e lëshuara nga Spanja sidomos tash pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA).

“Mendoj se disa zyrtarë të AUV shpesh punojnë në bazë të dëshirës së tyre dhe jo sipas ligjit. Me sa e di unë të gjithë certifikatat e lëshuara në vendet e Bashkimit Europian janë të vlefshme plotësisht për Kosovë e sidomos pas nënshkrimit të MSA-së edhe pse Spanja nuk e ka njohur Kosovën, Kosova e ka për obligim t’i njohë dhe t’i respektojë dokumentet e lëshuara nga Mbretëria e Spanjës”, ka deklaruar Piraj për KALLXO.com.

Zyrtari për Informim në AUV, Lamir Thaçi, ka thënë për KALLXO.com se produktet nga BE kanë lehtësim sa i përket kontrolleve zyrtare gjatë importit në Kosovë, për arsye se konsiderohen si produkte me rrezik të ulët, sepse vijnë nga vende që i nënshtrohen sistemit të avancuar të kontrollit të BE-së.

Thaçi ka theksuar se zakonisht mallrat pa certifikatë të harmonizuar duhet të konsiderohen si jo të sigurta dhe duhet të kërkohen informata shtesë rreth mallit.

“Për ngarkesën të cilën keni pyetur, problemi qëndron në faktin se nuk është e pajisur me certifikatë veterinare të harmonizuar, kjo për arsye se produkti ka prejardhje nga Spanja dhe për shkak të mos njohjes së Republikës se Kosovës nga autoritetet spanjolle mungon edhe komunikimi mes autoriteteve siç kërkohet me legjislacion. Sipas rregullores 18/2005 për inspektimin veterinar në kufi kërkohet kontrolli i dokumentacionit në shkallë frekuence 100%”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.

Drejtori i Fabrikës për përpunimin e mishit “Meka”, Burim Piraj ka thënë se malli i njëjtë është importuar edhe më 9 gusht të vitit 2017 dhe nuk kanë pasur asnjë vërejtje nga zyrtarët e AUV-it.

“Sasia e fundit që kemi importuar ka qenë më 9 gusht 2017 dhe nuk kemi pasë problem, që është e rëndësishme të ceket gjatë importit në fjalë nuk kemi pas vërejtje ose kërkesë të tillë nga zyrtarët veterinarë të AUV-së dhe kurrë nga ta nuk jemi përditësuar se nuk guxojmë të importojmë nga Spanja prodhime me prejardhje shtazore për arsyet e cekuar më lartë”, ka shtuar Piraj.

Kompania “Meka” e cila merret me prodhimin e produkteve të mishit, probleme të ngjashme ka pasur në të kaluarën me mishin e importuar nga Spanja.

“Jam detyru me e ndalë importin e pulës nga Spanja”, ka thënë Piraj.

Sa i përket ndalesës së fundit, Lamir Thaçi nga AUV ka deklaruar se verifikimi i dokumenteve nuk bëhet me qëllim për t’i ndëshkuar bizneset por u japin kohë derisa të vijnë me dokumentet e plotësuara dhe të verifikuara, por gjithmonë duke respektuar rregullat e nevojshme për siguri ushqimore.

Prandaj, Thaçi i ka thënë KALLXO.com se ngarkesa e kompanisë “Meka” e cila gjendet në procedura të verifikimit shumë shpejt do ta marrë përgjigjen.

“Do ta marrë përgjigjen pas verifikimit definitiv të dokumentacionit dhe vlerësimit të rrezikut të vet produktit”, ka thënë Thaçi.