Pamje nga një takim mes Agim Bahtirit e Albin Kurtit - Foto: Komuna e Mitrovicës

Agim Bahtiri mbështet protestën e VV-së kundër Thaçit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka ftuar qytetaret e kësaj komune që nesër të marrin pjesë gjatë takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në ketë takim do të bisedohet lidhur me deklaratat e Presidentit Thaçi për ‘korrigjim të territoreve’ që sipas Bahtirit, bisedimet e Thaçit me Serbinë për shkëmbime territoriale janë në kundërshtim me detyrat e tij.

Të pranishëm në këtë tubim të mbajtur në Mitrovice do te jenë; Albin Kurti, Agim Bahtiri, Albulena Haxhiu dhe Faruk Mujka.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar proteste me datën 29 shtator kundër Presidentit Thaçi.

Bahtiri është edhe nënkryetar i AKR-së, parti e cila në nivelin qendror është në koalicion qeveritar me PDK-në, AAK-në dhe NISMA-n.

Ky është njoftimi i plotë i Agim Bahtirit në Facebook:

Kosova po kalon nëpër një situatë të vështirë politike, që ka ardhur si pasojë e veprimeve të gabuara të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka nisur bisedimet për shkëmbime territoriale me Serbinë në kundërshtim me detyrat e tij dhe pa mandat nga Kuvendi i Kosovës.

Andaj, i ftoj qytetarët e Mitrovicës që nesër (e shtune) të marrin pjesë në tubimin e organizuar në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ku do të flasim së bashku me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për situatën e krijuar, të cilës klasa politike dhe gjithë populli duhet t’i thonë ‘stop’!