Gjykimi për vrasje - Foto: KALLXO.com

Afër fundit gjykimi për herë të 4-t i biznesmenit nga Ferizaj për vrasjen e gruas

I akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij më 2011, biznesmeni nga Ferizaj, Qamil Hetemi, vendosi të mbrohet në heshtje në gjykimin e tij për herë të katërt.

Në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit është lexuar dhe administruar superekspertiza e bërë në Entin Federal të Kriminalistikës, Zyra e teknikës kriminale, në Vjenë të Austrisë.

Pas leximit të deklaratave të të gjitha palëve, dhe administrimit të të gjitha provave, kur i erdhi radha të akuzuarit të japë mbrojtjen e vet, i njëjti shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Sipas Mexhit Sylës, avokat i të akuzuarit Hetemi, klienti i tij vendosi të mbrohej në heshtje për arsye se lidhur me këtë çështje ai ka dhënë 3 herë mbrojtjen e tij, pa i marrë parasysh edhe deklarata në Polici e disa herë në Prokurori, raporton KALLXO.com.

Në këto rrethana pa pyetje tjera për të akuzuarin u caktua data 17 janar për dhënin e fjalës përfundimtare, e ku pas eventualisht dy apo tre ditësh do të shpallet edhe vendimi i trupit gjykues.

Qamil Hetemi akuzohet se në shtator 2011, pas mosmarrëveshjeve me gruan e tij, ka qëlluar të njëjtën me armë zjarri, nga afërsia, duke i shkaktuar vdekjen.

Ndërsa i akuzuari dhe mbrojtësit e tij, avokati Mexhit Syla dhe Rexhep Hasani, pretendojnë se e ndjera ka bërë vetëvrasje.

Dëshmitarja kryesore në këtë rast është vajza e të ndjerës dhe të akuzuarit, e cila mbron versionin se nëna e saj ka bërë vetëvrasje.

Gjykimi i këtij rasti po ndodhë për herë të katërt, raporton kallxo.com.

Ndaj Qamil Hetemit ishte ngritur aktakuzë në verën e vitit 2012, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 17 qershorit 2013, Prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket pikës 1, ashtu që Hetemin e ka akuzuar për veprën penale të vrasjes.

Gjykata Themelore e Ferizaj e kishte gjetur dy herë fajtor Qamil Hetemin dhe Gjykata Themelore e Prizrenit një herë për veprën penale të vrasjes. Në të 3 herët i njëjti ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 14 vjetësh.

Në të tri rastet Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Pasi që fillimisht Gjykata Themelore e Ferizajt gjatë gjykimit dhe rigjykimit në të dy rast e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Qamil Hetemi për vrasjen e bashkëshortes. Në të dy rastet Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për gjykimin e tretë, Gjykata e Apelit kishte udhëzuar ndërrimin e trupit gjykues, andaj në mungesë të trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Gjykata e Apelit, e kishte bërë përgjegjëse Gjykatën Themelore në Prizren për mbajtjen e shqyrtimeve gjyqësore.

Në shkurt të vitit 2016, Gjykata Themelore Prizren të akuzuarin Qamil Hetemi e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me 14 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes Ardiana Hetemi. Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj.

Por në gusht të 2016, Gjykata e Apelit për herën e 3 kishte marrë vendim për rigjykimin e rastit, raporton www.kallxo.com.

Apeli kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me arsyetim se përmbante shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe shkresave të lëndës dhe nuk është vërtetuar plotësisht gjendja faktike.

Paneli i përbërë prej gjyqtarëve, Mejreme Memaj, Fillim Skoro dhe Have Haliti, kishte vlerësuar se nuk janë mënjanuar kundërthëniet në dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve.

Gjykata e Apelit, po ashtu kishte gjetur se ka kundërthënie në mes ekspertëve sa i përket gjurmëve të barutit të gjetura në dorën e të pandehurit.

Në qershor të vitit 2017, Qamil Hetemi pas 5 vitesh qëndrimi në paraburgim është liruar nga kjo masë.

Kjo pasi që lënda do të dërgohej për superekspertizë, në shtetin e Austrisë, në Entin Federal të Kriminalistikës, Zyra e teknikës kriminale, në qytetin e Vjenës, me propozimin e prokurorit të çështjes Mehdi Sefa.

Që nga ajo datë e deri më sot nuk është mbajtur asnjë shqyrtim gjyqësor në pritje të raportit të ekspertizës.